Në skenën e Operës dhe Baletit Nacional nesër, më 27 shtator, me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet përralla e baletit modern për të gjitha moshat “Hirushja” e Sergei Prokofiev.
Historia e “Hirushes” e përkthyer në muzikën e bukur të kompozitorit të madh rus Sergei Prokofiev dhe me koreografi të të ftuarit nga Serbia, Aleksandar Iliq, do të interpretohet në skenën tonë nga Natasha Trendafillova Gicev (Hristina Nacevska), Igor Vellanoski, Sasha Evtimova, Angella Bogatinova, Andrew Cook (Angli), Christian Jangos, Dragan Koçoski, Gala Koçevska, solistë dhe ansambli i baletit të Operës dhe Baletit Nacional.
Kostumografia është e Katerina Radoseviq Galiq (Kroaci), skenograf është Filip Korunovski. Dizajni i zërit është i Georg Draushnik (Kroaci), ndërsa dizajni i dritës është i Millço Aleksandrov. Asistente koreografe janë Sasha Evtimova dhe Mojca Majcen (Slloveni), tutorë janë Sasha Evtimova dhe Dafina Danilloska-Koçevska dhe asistente kostumografe Angella Bogeska.
Sipas koreografit Iliq, “Hirushja” nuk është version klasik, por është krijuar në kontekst më bashkëkohor. “Hirushen tonë e vendosëm në një hark kohor krejt tjetër, në vitet 70 të shekullit të kaluar. Konkretisht, gjatë popullaritetit të filmit ‘Brilliantin’, me rolin më të famshëm të John Travolta-s, dhe vetëm me këtë kemi luajtur me ‘Hirushen’ tonë në atë kohë”.