Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov mbajti fjalim sot në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Rutës Evropiane të “Shën Kirilit dhe Metodit” te “Porta Maqedonia”
Në fjalimin e tij, ministri theksoi se Maqedonia është jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht e ngulitur thellë në misionin e vëllezërve të shenjtë dhe dishepujve të tyre.
“Realizimi i Asamblesë së Përgjithshme pikërisht këtu është simbolik dhe domethënës sepse Maqedonia nuk është vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht dhe në aspektin kulturor e ngulitur në misionin e vëllezërve të shenjtë “Kiril dhe Metodi”, si dhe të dishepujve të tyre. Vepra e vëllezërve të Selanikut, e cila hodhi themelet e shkrim-leximit dhe spiritualitetit sllav, është gdhendur thellë në trashëgiminë tonë kulturore dhe në kujtesën kolektive të popullit maqedonas. Këtu, në këto rajone, misioni i tyre jo vetëm që u pranua, ai vazhdoi të jetonte, të përhapej, të bartej me dashuri brez pas brezi. Dhe sot, si pjesë e kësaj rruge kulturore, ne jo vetëm që e ruajmë trashëgiminë e tyre, por edhe e jetojmë atë”, tha ministri Lutkov.

Ai tregoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit, me shumë respekt dhe entuziazëm, do të vazhdojë të marrë pjesë dhe të mbështesë rutat e Këshillit të Evropës.
“Vendi ynë është i përkushtuar ndaj ruajtjes dhe afirmimit të kësaj pasurie kulturore dhe për këto arsye, Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbështet pjesëmarrjen e Maqedonisë në: Rutën Kulturore të Verës, Rutën e Perandorëve Romakë dhe Rutën Romake të Danubit. Për të afirmuar rutat tek publiku më i gjerë kulturor, muajin e kaluar mbajtëm edhe forumin “Rutat Kulturore të Këshillit të Evropës në Funksion të Turizmit Kulturor”, në të cilin morën pjesë mysafirë nga vendi dhe jashtë vendit, nga sektori akademik, turistik, ekonomik dhe më gjerë kulturor”, tha Ministri.
Lutkov theksoi se pjesëmarrja e Institutit të Letërsisë Maqedonase pranë UShKM-së dhe Institutit të Kulturës së Vjetër Sllave nga Prilepi në kuadër të Rrugës Kulturore Evropiane të “Shën Kirilit dhe Metodit” është veçanërisht e rëndësishme, e cila do të kontribuojë në promovimin e rëndësishëm kulturor, shkencor dhe turistik të trashëgimisë së “Kirilit dhe Metodit”, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me truallin shpirtëror të Maqedonisë.