Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, mbajti fjalim në hapjen e Forumit kushtuar rutave kulturore të Këshillit të Evropës, ku u prezantuan rrugët kulturore në të cilat është përfshirë edhe shteti ynë: “Rruga e Shën Cirilit dhe Metodiut”, “Rruga e verës – Iter Vitis” dhe “Rruga e perandorëve romakë dhe rruga e verës përgjatë Danubit”.
Sipas Llutkovit, rutat kulturore nuk janë thjeshtë rrugë turistike. Ato janë rrugë të vlerave, dialogut, trashëgimisë së përbashkët dhe bashkimit evropian. Prandaj, Forumi përfaqëson mundësi të shkëlqyer për diskutim, shkëmbim idesh, mendimesh dhe përvojash me ekspertë dhe pjesëmarrës nga fusha të ndryshme për zhvillimin e ardhshëm të kësaj fushe.
„Me më shumë se 40 ruta të certifikuara, Këshilli i Evropës na tregon se si kultura mund të jetë një urë mes historisë dhe modernes, mes lokales dhe globales, mes popujve dhe kombeve. Republika e Maqedonisë, si vend që tashmë merr pjesë aktive në “Rrugën e Shën Cirilit dhe Metodiut”, “Rrugën e verës Iter Vitis” dhe “Rrugën e perandorëve romakë dhe rrugën e verës përgjatë Danubit”, nëpërmjet trashëgimisë së saj jashtëzakonisht të pasur dhe të larmishme kulturore, ka potencial të rëndësishëm jo vetëm për të qenë pjesë e kësaj rrjete, por edhe për të kontribuar si krijues i barabartë i iniciativave të reja.

Detyra jonë është të theksojmë dhe prezantojmë vlerat që posedojmë, nga gjurmët antike deri te praktikat bashkëkohore kulturore, nga trashëgimia shpirtërore deri te tradita e gjallë“, theksoi Llutkov.
Ministri vuri në dukje se Rutat kulturore të Këshillit të Evropës janë instrument i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor, i cili do ta rrisë interesin për vendin tonë si destinacion dhe do të kontribuojë në forcimin e ekonomisë përmes turizmit.
Pikërisht për këto arsye, shtoi Llutkov, këtë forum e shoh si ftesë të hapur për të ndarë ide, për të bashkëpunuar, për të menduar në mënyrë strategjike dhe kreative. Të krijojmë rrugë kulturore që nuk do t’i udhëheqin vetëm turistët, por që do t’i bartin vlerat e komuniteteve tona nëpër Evropë.