Në botën e teknologjive të reja, kultura merr dimension të ri të qasjes dhe gjithëpërfshirjes. Këshilli për kulturë, organi profesional dhe këshillimor i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, shpalli nismën për zhvillimin e një Kornizë strategjike për digjitalizimin në kulturë, në mënyrë që t’i përgjigjet sfidave dhe mundësive që sjell transformimi digjital.
Digjitalizimi në kulturë nënkupton përdorimin e teknologjive digjitale për krijimin, ruajtjen, shpërndarjen dhe qasjen në përmbajtje kulturore dhe shprehje artistike. Kjo strategji përfshin arkivimin digjital të trashëgimisë kulturore, zhvillimin e muzeve dhe galerive virtuale si dhe risi në përdorimin e mediave të reja, duke përfshirë realitetin virtual dhe atë të shtuar.
“Digjitalizimi jo vetëm që rrit qasjen e përmbajtjeve kulturore, por edhe tejkalon kufizimet gjeografike dhe fizike, duke u ofruar të gjithëve mundësinë për afirmim të gjerë të trashëgimisë kulturore”, tha kryetarja e Këshillit për kulturë, dr. Ganka Cvetanova.
Këshilli thekson se digjitalizimi sistematik i kulturës është prioritet strategjik, i cili do të garantojë ruajtjen afatgjatë të trashëgimisë kulturore dhe modernizimin e përvojës së saj në shoqërinë moderne.
Kuadri strategjik për digjitalizimin do të shërbejë si bazë për integrimin e teknologjive digjitale në politikat kulturore, duke inkurajuar forma të reja të shprehjes kreative dhe angazhim më të gjerë shoqëror.
Kjo iniciativë është thirrje për bashkëpunim ndërmjet të gjithë faktorëve përkatës – institucioneve kulturore, organeve qeveritare, komunitetit shkencor dhe sektorit privat për të siguruar transformim digjital të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të kulturës.