Sonte në Teatrin e dramës- Shkup, në kuadër të Javës së teatrit të pavarur, do të shfaqet shfaqja “I vdekuri i lumtur”, produksion i teatrit alternativ, “Të fshirët”. Autor është Marjan Angjellovski, ndërsa rolet i interpretojnë Bllagoj Çorevski, Irena Ilievska, Maria Llazarova, Ivana Stamevska, Ognen Velevski dhe Jasmin Ramani.
Siç thonë nga produksioni, “I vdekuri i lumtur” është dramë satirike për të vdekurin e gjallë Zhivko, i cili për një gabim të sistemit shpallet i vdekur. Që nga ai moment, jeta e Zhivkos kthehet në ferr dhe një luftë me sistemin shtetëror jofunksional, burokracinë dhe labirintet administrative. Në një mënyrë absurde, në luftën e tij për të provuar se është gjallë, Zhivko zhvesh deri në lëkurë aparatin shtetëror dhe të gjitha dobësitë e tij.