Nga data 17 deri më 26 janar do të zhvillohet edicioni dimëror i Rrjetit të festivaleve nga rajoni Adriatik. Është projekt i përbashkët i festivaleve kryesore rajonale të filmit, Festivali i Filmit në Sarajevë, Festivali i Filmit në Beograd, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Lubjanë, Festivali i Filmit në Zagreb, Festivali i Filmit Herceg Novi dhe IFFK “Vëllezërit Manaki”. Publiku nga vendet, festivalet e të cilëve janë anëtarë të Rrjetit do të mund të shikojnë pa pagesë pesë filma rajonal të vlerësuar me çmime.
Pjesë e programit do të jetë “Ekskursion” i regjisorit Una Gunjak, “M” nga Vardan Tozia, “Vëzhgimi” i Janez Burger, “Klasa punëtore shkon në ferr” nga Mlladen Gjorgjeviq dhe “Vetëm kur qesh” nga Vanja Juraniq.
Siç njoftojnë nga “Vëllezërit Manaki”, programi fillon të premten, më 17 janar, me shfaqje falas të filmave në kinematë në Sarajevë, Beograd, Herceg Novi, Lubjanë, Zagreb, Manastir dhe Shkup dhe më pas, nga 18 deri më 26 janar, të gjitha filmat do të jenë të disponueshëm online në platformën sipas kërkesës në linkun “https://ondemand.kinomeetingpoint.ba/”.
Edicioni dimëror i Rrjetit të festivaleve nga rajoni Adriatik është një mundësi unike për audiencën në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Slloveni dhe vendin tonë për të parë falas online filmat fitues të çmimeve.
Fillimi i programit do të shënohet me shfaqjet e filmit “Ekskursion” nga Una Gunjak në kinemanë 3D të Qendrës së Kulturës në Manastir dhe në sallën e kinemasë së Kinotekës në Shkup më 17 janar në ora 20:00.
Siç është paralajmëruar, një orë para fillimit të shfaqjes do të hapet ekspozita e të 45 afisheve nga 45 edicionet e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Vëllezërit Manaki”. Pas shfaqjes në Kinotekë, publiku do të ketë mundësinë të bisedojë me kineastin e filmit “Ekskursion”, Matthias Pilz.
Gjithashtu në program është edhe filmi maqedonas “M” nga Vardan Tozia, një triler psikologjik distopian për rritjen. Ky është edicioni i tretë dimëror i Rrjetit të festivaleve nga rajoni adriatik, i organizuar me synimin për të promovuar dhe bërë më të dukshëm prodhimet cilësore filmike rajonale, dhe i pari që përfshin IFFK Vëllezërit Manaki dhe i pari që mbahet në vendin tonë dhe filmat e të cilit në platforma ondemand janë gjithashtu në dispozicion të audiencës maqedonase.
Rrjeti i festivaleve nga rajoni adriatik mbështetet nga nën-programi MEDIA i programit të BE-së për Evropën Kreative.