Me ceremoni të përshtatshme Biblioteka Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup sot shënoi përvjetorin – 80 vjet nga emërimi i drejtorit të parë dhe fillimi i punës së bibliotekës në Maqedoninë e lirë.
Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit Maria Stançevska-Gjorgova, duke e uruar jubileun e madh, theksoi se “Biblioteka Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” si një nga shtyllat e arsimit, shkencës dhe kulturës sonë ka rol kyç në ruajtjen e pasurisë letrare dhe merr pjesë aktive në përhapjen dhe zhvillimin e saj.
“BNU Shën Klimenti i Ohrit” mbledh, dokumenton dhe vlerëson trashëgiminë kulturore letrare maqedonase për brezat e ardhshëm. Me çdo libër dhe çdo punim të ri kërkimor, me të cilin disponon ky tempull i dijes, në të gjitha format dhe shprehjet, nga dorëshkrimi më i vjetër e deri te formati digjital më modern, janë pjesë e procesit të ndërtimit të identitetit intelektual dhe kulturor të shoqërisë sonë, tha Stançevska-Gjorgova.
Ajo shtoi se megjithëse teknologjia po transformon mënyrat e gjetjes dhe përdorimit të informacionit, misioni bazë i bibliotekës mbetet i njëjtë – të inkurajojë arsimin, të sigurojë lirinë e qasjes në njohuri dhe të krijojë kushte për të menduarit kritik dhe rritje intelektuale.