Të shtunën (26 tetor) në Qendrën për Kulturë dhe Informim të Republikës së Maqedonisë në Zagreb u mbajt koncerti “Nata muzikore në Zagreb”, ku u prezantuan artistët e talentuar dhe me perspektivë Ismet Vejseli, Alba Zekiri dhe Shkëlzen Baftiari për herë të parë. Artistët e rinj kishin përgatitur program ekskluziv me kompozime të autorëve të njohur, të cilin më parë i kishin realizuar në qytete të ndryshme.
Drejtoresha e Qendrës Kulturore dhe Informative, Mimi Gjorgoska-Ilievska, në prani të ambasadorit të Maqedonisë në Kroaci, Milaim Fetai, para fillimit të koncertit theksoi se pret një përvojë të paharrueshme muzikore, përmes së cilës publiku do të njihet nga afër me këta artistë të talentuar dhe me perspektivë, të cilët u arsimuan në klasat e njërit prej ambasadorëve më të mëdhenj të kulturës së Maqedonisë, si diva maqedonase e operës, Ana Durlovski dhe pianisti maqedonas, maestro Simon Trpçeski.