Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Ljutkov, ka takuar sot ambasadoren e së Gjermanisë, Petra Dreksler, me të cilën ka biseduar për mundësitë e avancimit e bashkëpunimit bilateral në fushën e kulturës ndërmjet dy vendeve.
Në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore, bashkëbiseduesit u pajtuan se Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Gjermanisë për bashkëpunim në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës është një kornizë e shkëlqyer për bashkëpunim ndërinstitucional dhe shkëmbim të artistëve dhe projekteve. Ministri Ljutkov theksoi se Ministria e Kulturës dhe e Turizmit rregullisht mbështet projektet për prezantimin e artistëve maqedonas në Gjermani, si dhe promovimin e autorëve maqedonas dhe letërsisë maqedonase në panairet e njohura të librit në Lajpcig dhe Frankfurt.
Ministri Ljutkov theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes që autorët, përkthyesit dhe organizatorët tanë në festivale, e marrin përmes rrjetit evropian për letërsi dhe libra “Traduki”, i cili lidh Evropën Juglindore me rajonin gjermanishtfolës. U theksua edhe bashkëpunimi i mirë me “Goethe Institute” në Shkup, përmes të cilit qytetarët dhe studentët e Maqedonisë në vitet e kaluara patën një sërë mundësish për pjesëmarrje në programe të vazhdueshme përmes bursave, seminareve për mësimdhënës dhe profesorë të gjuhës gjermane, etj.
Në takim u diskutua edhe për vendosjen e bashkëpunimit në fushën e industrive kreative, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional përmes shkëmbimit të artistëve dhe ekspertëve në fusha të ndryshme. Në takim, ambasadorja Dreksler e ftoi ministrin Ljutkov që të marrë pjesë në pritjen që do ta organizojë Ambasada e Gjermanisë në Shkup në fillim të shtatorit për nder të menaxheres maqedonase për kulturë, Iskra Geshoska, e cila është një nga tre fituesit e çmim prestigjioz, medalja “Gëte”.
Ljutkov dhe Dreksler u pajtuan se bashkëpunimi i mirë dhe shkëmbimi i projekteve ndërmjet institucioneve maqedonase dhe gjermane në fushën e kulturës do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.