Kultura maqedonase për herë të parë bëhet pjesë e projektit evropian “Rrugët kulturore” të Këshillit të Evropës. Në mbledhjen e fundit të përgjithshme të shoqatës, u pranuan aplikacionet e Institutit për letërsi maqedonase nga Shkupi dhe Institutit publik shkencor, Instituti për kulturën e vjetër sllave- Prilep. Është vendosur që nga 1 dhjetori i këtij viti, këto dy institucione të rëndësishme të bëhen anëtarë të plotë të “Rrugës Kulturore të Shën Kirilit dhe Metodit”.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, duke e përshëndetur këtë përzgjedhje, është shprehur: “Ne jemi dhe duam të jemi rojtarë dhe ndërtues të vlerave evropiane. Përmes pjesëmarrjes sonë në “Rrugët Kulturore të Shën Kirilit dhe Metodit, ne hapim vendin tonë për të plotësuar historinë e pasur evropiane. Duke e njohur veten në këtë rrugë kulturore, ne si vend që respekton shumë dhe e ruan me dinjitet kujtimin e arsimtarëve sllavë, vëllezërve Kiril dhe Metodij, i bashkohemi kësaj rruge përmes së cilës duam të afirmojmë dhe pasurojmë njohuritë për identitetet kulturore evropiane”.
Rruga kulturore “Kirili dhe Metodi” shtrihet nëpër vende të lidhura historikisht të jetës dhe misionit të shenjtorëve Kiril dhe Metodij, ku udhëtarët mund të dëshmojnë mbetje të rëndësishme edhe sot. Anëtarë të kësaj rruge kulturore, përveç Maqedonisë së Veriut, janë edhe Bullgaria, Çekia, Greqia, Hungaria, Sllovakia, Sllovenia, Italia dhe Kroacia.
Kostadinovska-Stojçevska kujton se në pjesëmarrjen e saj të vitit të kaluar në ceremoninë zyrtare të Forumit të Rrugëve Kulturore të Këshillit të Evropës, që u mbajt në Kretë, ajo shprehu gjithashtu interesin tonë për t’u përfshirë në Rrugën Kulturore të vëllezërve Kiril dhe Metodi.
Ministrja e Kulturës shpreh kënaqësinë që Maqedonia e Veriut po bëhet pjesë e kësaj nisme të rëndësishme dhe shtoi se ne shohim lidhjen e fakteve, dëshmive të dukshme përmes Rrugëve Kulturore të Këshillit të Evropës si mundësi për të zhvilluar dialogun ndërkulturor dhe kuptim më të afërt të historisë së Evropës.
Kostadinovska-Stojçevska bën të ditur se vendi ynë do të aplikojë për përfshirje edhe në “Rrugët e tjera kulturore”, të cilat, siç thekson ajo, ofrojnë mori aktivitetesh falas dhe edukative për të gjithë qytetarët e Evropës dhe, ndër të tjera, janë burime kyçe për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e turizmit kulturor.
Deri më tani, përmes disa kompanive, vendi ynë ka qenë pjesë e Rrugës së Pemës së Ullirit dhe Rrugës së Verës, Iter Vitis, dhe që nga viti i kaluar, Maqedonia e Veriut i është bashkuar zyrtarisht Marrëveshjes së Pjesshme të Zgjeruar për Rrugët Kulturore të Këshillit të Evropës (EPA).
Nisma Shtigjet kulturore të Këshillit të Evropës, e cila u iniciua 35 vjet më parë, synon të prezantojë trashëgiminë e përbashkët kulturore, për një kuptim më të mirë të identitetit kulturor evropian dhe për të formuar një hapësirë të përbashkët kulturore.