Zëvendësministri i Kulturës, Daim Luçi, u takua në Sofje me zëvendësministrin e kulturës së Republikës së Bullgarisë, Çavdar Georgiev, në prag të ekspozitës “105 vjet Trebenishte”, e cila hapet sonte në Institutin Nacional Arkeologjik me muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave në Sofje.
Kjo ekspozitë është vazhdimësi e bashkëpunimit disavjeçar ndërmjet Institutit Nacional Arkeologjik me muze pranë ABSH-së Sofje, Muzeut Nacional të Serbisë – Beograd, Muzeut Arkeologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Shkup dhe Institutit dhe Muzeut – Ohër.
“Ekspozita na tregoi se sa i vlefshëm është bashkëpunimi ynë në rajon, sepse përmes artefakteve të paraqitura këtu, ne i paraqesim komunitetit ndërkombëtar histori të plotë suksesi të një lokaliteti të jashtëzakonshëm që flet për qytetërimin e kësaj toke në shekujt VI dhe V para erës sonë“, tha zëvendësministri Luçi.
Në takim ai shtoi se realizimi i kësaj ekspozite është siguruar me mbështetjen e dy ministrive. “Ky është shembull se si, me bashkëpunim, ne mund të bëjmë diçka shembullore në rajon dhe brenda kornizës evropiane,” shtoi Luçi.
Bëhej fjalë për përvojat rreth organizimit të këtij projekti kompleks që po zbatohet në të tre vendet dhe po ngjall interes të madh tek publiku, si dhe për marrëdhëniet të mira tradicionale kulturore mes dy vendeve.
Programi i bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i cili është akt themelor për komunikim intensiv në këtë departament dhe është nënshkruar mes dy ministrive, është rinovuar në vitin 2022. U theksua se meritë të madhe për vazhdimësinë e marrëdhënieve bilaterale në kulturë kanë qendrat kulturore dhe informative, ajo maqedonase në Sofje dhe ajo bullgare në Shkup, të cilat janë qendra e ngjarjeve të shumta nga të gjitha fushat që lidhin kulturat e dy vendeve.
Zëvendësministrat Luçi dhe Georgiev diskutuan për drejtimet në realizimin e qëllimeve programore të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe theksuan shembuj të suksesshëm, si ekspozita “105 vjet Trebenishte”, bashkëpunimi në veprimtarinë korale, pastaj bashkëpunimi në artet vizuale dhe shumica e ekspozitave nëpër qytetet në Bullgari, si dhe bashkëpunim në veprimtarinë muzikore me pjesëmarrje në festivale të zhanreve të ndryshme. Për afirmimin e bashkëpunimit në kulturë, u theksua se pjesëmarrja e poetëve bullgarë në mbrëmjet e poezisë strugane, përkthimet e shumta të veprave letrare në të dyja gjuhët dhe nxitja e krijimtarisë kanë rëndësi të madhe.
Në takim u theksua se të dy ministritë vazhdojnë të promovojnë dhe mbështesin lidhjet e forta që janë arritur në artin e teatrit dhe filmit, gjë që inkurajon prezantimin ndërkombëtar të artit të dy vendeve fqinje.
Zëvendësministrat e kulturës të dy vendeve kanë biseduar edhe për fillimin e bashkëpunimit ndërmjet Pllovdivit dhe Shkupit para manifestimit te ardhshëm “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës”, pas përvojave të suksesshme që Pllovdivi i kishte pesë vjet më parë.
Zëvendësministri Daim Luçi i bëri ftesë kolegut të tij dhe ministrit të kulturës së Bullgarisë, Krastju Krastev, që të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Thrakia e argjendtë” muajin e ardhshëm në Shkup.