Në kuadër të edicionit të 63-të të festivalit “Vera e Ohrit”, nesër në mbrëmje në skenën e Teatrit Antik do të shfaqet shfaqja “Komedia e ferrit – rrëfimi i një vrasësi serik”, e cila për herë të parë në festivalin e njohur dhe në vendin tonë do të interpretohet nga aktori, regjisori dhe producenti hollivudian me famë botërore Xhon Mallkoviç.
Paraqitja e shfaqjes me regji të Mihaell Shtrumingen është pjesë e turneut evropian. Gjithashtu interpretojnë solistët Çen Reis dhe Suzan Llangbej si dhe Orkestra e Akademisë së Vjenës e drejtuar nga Martin Hasellbok.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në konferencën e sotme për media në Ohër, së bashku me Xhon Mallkoviç dhe kryesinë e festivalit “Vera e Ohrit”, theksuan se është nder i madh që i nderuari Xhon Gavin Mallkoviç, emër i njohur për audiencën botërore, do të shkruajë historinë e festivalit të yjeve më të mëdhenj që shkëlqejnë në festivalin “Vera e Ohrit”, si një nga pesë festivalet elitare evropiane.
Kostadinovska-Stojçevska i uroi mirëseardhje aktorit, regjisorit dhe producentit hollivudian Mallkoviç në perlën tonë të Ballkanit, Ohrin dhe shtoi se vizita e tij është gjë e rrallë, duke shprehur mirënjohjen e madhe për mbështetjen që i jep edicionit të 63-të të evenimentit “Vera e Ohrit”.
– Më jep kënaqësi që pas vizitave të kompozitorit me famë botërore Enio Morikone, i vetmi Hoze Kareras, të famshmit Hese Norman, maestro Zubin Mehta, violonçelistit belg Misha Majski, dirigjentit dhe kompozitorit të njohur Kristof Penderecki, Elena Moshuc, Ivo Pogoreliq, Stefan Milenkoviq etj, aktori amerikan Xhon Mallkoviç do t’i bashkohet listës së artistëve më ekskluzivë që kanë luajtur në skenën e madhe të Teatrit Antik. Ai me vlerën e tij artistike dramatike të shfaqur në shfaqjen teatrore “Komedia e ferrit – rrëfimi i një vrasësi serik”, do të lërë gjurmë në manifestimin tonë më eminent kulturor e skenik – theksoi Kostadinovska-Stojçevska.
Ministrja e Kulturës falënderoi edhe Ambasadën Amerikane në Republikën e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen dhe bashkëpunimin si partner strategjik i vendit tonë, me të cilin kemi rezultate të lakmueshme në fushën e kulturës.
Kostadinovska-Stojçevska shtoi se paraqitja e aktorit me famë botërore Mallkoviç është gjest që shënon fuqishëm “Verën e Ohrit” të sivjetmë dhe i ofron publikut maqedonas dhe mysafirëve në Ohër mundësi të rrallë për të përcjellë interpretimin e njërit prej aktorëve kryesorë me role të shumta të realizuara dhe dy nominime për Oskar.
Drejtoresha e “Verës së Ohrit”, Natasha Popoviq, tregoi se edicioni i sivjetshëm i festivalit do të mbahet mend për divën më magjepsëse të operës, Angella Georgiu, e cila bëri koncert të paharrueshëm në ceremoninë e hapjes, por edhe për aktorin, producentin dhe regjisorin e njohur amerikan Xhon Mallkoviç, i cili për herë të parë po performon në Maqedoni. Pikërisht për eventin e nesërm, siç theksoi Popoviq, janë bërë rezervime të shumta nga i gjithë rajoni, por edhe nga Brazili, Holanda, Franca, SHBA-ja dhe shumë vende të tjera.
Mallkoviç, para gazetarëve në Ohër, përshkroi bashkëpunimin me dirigjentin Martin Hasellbok dhe Akademinë e Vjenës dhe, siç tha ai, donin të prezantojnë një histori austriake. Ai shtoi se e pëlqen këtë shfaqje sepse lidh teatrin dhe aktrimin me muzikën klasike dhe tërheq publikun në mënyrë inovative.
Përzgjedhësja e programit dramatik, Sanja Arsovska, u shpreh e kënaqur që kemi një nga aktorët më të mëdhenj të kohës në të cilën jetojmë.
– Të gjithë e njohim, mbi të gjitha, nga karriera e tij kinematografike, ndonëse fillimet e tij në aktrim janë në një kompani teatrore në Çikago. Mallkoviç është një nga aktorët e paktë në Hollivud që ka ende kontakt me artin e teatrit”, tha Arsovska. Ajo shtoi se kjo shfaqje e ndërton strukturën e saj dramaturgjike dhe arkitekturën emocionale mbi dy të kundërta, që janë komedia dhe drama psikologjike.