Gjuha maqedonase është atdheu më i madh kulturor, i cili nuk ka kufij. Prandaj, jetësimi i gjuhës ndërmjet brezave që nuk jetojnë në Maqedoni, por në shtete të tjera, paraqet një element shumë të rëndësishëm kulturor.
Ky është motivi kryesor nën të cilin, nga 16 deri më 19 prill, në Qendrën Kulturo-Informative Maqedonase në Zagreb do të realizohet projekti multimedial për fëmijë “Rrethi magjik i fëmijërisë” nga KAT Produksion. Projekti realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të projektit do të përfshihen rreth 40 nxënës që mësojnë gjuhën maqedonase në dy shkolla fillore në Zagreb – “August Harambashiq” dhe “Nikolla Tesla” – nën udhëheqjen e mësueses Despina Bellçovska Velinska.
Do të realizohen tri punëtori kreative, përkatësisht: punëtoria dramatike, nën drejtimin e aktores dhe regjisores Snezhana Koneska Rusi; punëtoria për ilustrimin e librave për fëmijë, nën drejtimin e dizajneres dhe edukatores Elena Maksimovska; dhe punëtoria për shkrim kreativ, nën drejtimin e mag. Tatjana Gogoska, autore e projektit dhe autore e librit “Rrethi magjik i fëmijërisë”, i cili do të promovohet në ngjarjen përmbyllëse më 19 prill në Qendrën Kulturo-Informative Maqedonase në Zagreb, në prani të shumë mysafirëve nga sektorë të ndryshëm.
Në ngjarje, ndër të tjerë, do të marrin fjalën drejtoresha e KIC-it maqedonas në Zagreb, Mimi Gjorgoska-Ilievska, e cila me mbështetjen e saj e mundësoi realizimin e këtij projekti, si dhe autorja e librit, mag. Tatjana Gogoska. Librin do ta prezantojnë fëmijët pjesëmarrës në tri punëtoritë, përmes një performance të tyre artistike. Tërë ngjarjen do ta udhëheqë aktorja dhe regjisorja e njohur Snezhana Konevska Rusi.