Me kënaqësi të veçantë e informojmë opinionin publik se, pas shumë vitesh pritjeje dhe pengesash administrative, sot zyrtarisht mund të njoftojmë: fillon rindërtimi dhe modernizimi i Sallës Universale – një nga simbolet më të rëndësishme kulturore të Shkupit dhe të Maqedonisë.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit njofton se procedura për zgjedhjen e realizuesit për Sallën Universale është përmbyllur me sukses, pasi Komisioni Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike e refuzoi si të pabazuar ankesën e operatorit ekonomik dhe e konfirmoi zgjedhjen e ofertës më të favorshme. Me këtë hiqet edhe pengesa e fundit juridike për fillimin e punimeve ndërtimore.
Me këtë vendim konfirmohet përfundimisht Vendimi për zgjedhjen e ofertës më të favorshme të datës 23.03.2026 dhe është përzgjedhur realizuesi përfundimtar i projektit.
Projekti realizohet sipas parimit “çelës në dorë”, ndërsa rindërtimi i Sallës Universale pritet të përfundojë deri në dhjetor të vitit 2027. Ky është një projekt kyç në kuadër të përgatitjeve të Shkupit për marrjen e titullit prestigjioz – Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028.
Me pamjen e re të Sallës Universale, Shkupi do të fitojë një institucion kulturor modern, funksional dhe përfaqësues, i cili do të jetë nikoqir i shfaqjeve teatrore elitare, koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve të mëdha kulturore. Kjo është një investim në të ardhmen e kulturës maqedonase, investim në artistët tanë, në publikun tonë dhe në brezat e ardhshëm.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet plotësisht e përkushtuar për realizimin transparent, ligjor dhe të shpejtë të të gjitha projekteve kapitale që forcojnë identitetin kulturor të vendit.