Nga 18 deri më 20 shtator, në Lemos (Laimos), në Prespë, do të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Artit dhe Kulturës Bashkëkohore „Kënga e bilbilit 2026 | Nata në kufi“.
Institucioni Kombëtar „Kongresi i Smilevës“ është bashkëorganizator i kësaj ngjarje ndërkombëtare përmes platformës së tij „Kooperacija Sessions“.
„Këtë ngjarje e konsiderojmë me rëndësi të jashtëzakonshme për avancimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe për afirmimin e artit dhe muzikës autentike maqedonase, të interpretuara në gjuhën maqedonase, në mënyrë endemike në vendin fqinj“, thonë nga IK „Kongresi i Smilevës“. Nga aty shtojnë se edicioni i sivjetshëm zhvillohet në Lemos, Prespë, vetëm pak metra larg pikës kufitare historike Lemos–Markova Noga, e cila është e mbyllur që nga viti 1967. Më shumë se 75 krijues nga tetë shtete do të takohen përmes artit pamor, muzikës dhe filmit, duke e shndërruar kufirin në hapësirë për takim dhe ndërlidhje kulturore.
Janë paraparë disa ngjarje, ndër të cilat edhe një ekspozitë ndërkombëtare e artit bashkëkohor, si dhe „Nata në kufi“ – Takimi muzikor ndërkufitar, ku do të performojnë artistë muzikorë nga Greqia dhe Maqedonia, ndërsa do të shfaqen edhe filma të shkurtër të përzgjedhur, në bashkëpunim me festivalet e filmit „Balkans Beyond Borders Short Film Festival“ dhe „Florina International Film Festival“.
Ngjarja mbahet nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Greqisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.