Në Beograd u hap ekspozita me vepra të Petar Mazevit

  Në Beograd u hap ekspozita me vepra të Petar Mazevit

“Saga e trazimeve krijuese” është titulli i ekspozitës që u hap mbrëmë në Sallën
MTS në Beograd, në organizim të Qendrës Kulturore-Informative të Maqedonisë.
Ekspozita i kushtohet njërit prej artistëve më të rëndësishëm figurativë maqedonas,
Petar Mazev, krijimtaria e të cilit ka lënë gjurmë të thella në artin bashkëkohor
maqedonas dhe rajonal.
Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Marija S. Gjorgova, në
fjalimin e saj në hapjen e ekspozitës theksoi se Mazev është një autor, vepra e të
cilit prej kohësh i ka tejkaluar kufijtë e kohës dhe hapësirës, ndërsa arti i tij vazhdon
edhe sot të komunikojë me brezat e rinj përmes emocionit të fuqishëm, shprehjes
autentike dhe mesazheve universale.
“Artistët e mëdhenj nuk i përkasin vetëm kohës së tyre. Ata vazhdojnë të jetojnë
përmes veprave të tyre, të dialogojnë me brezat e rinj dhe të na kujtojnë se arti është
një nga vlerat e rralla që i reziston kohës. Petar Mazev është pikërisht një artist i
tillë”, u theksua në fjalim.
Në kuadër të ngjarjes u theksua rëndësia e Qendrës Kulturore-Informative të
Maqedonisë në Beograd për afirmimin dhe promovimin e kulturës maqedonase para
publikut serb, si dhe roli i kulturës si lidhja më e fortë për miqësinë dhe
bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Ekspozita realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe ofron
një mundësi të rrallë që publiku i Beogradit të takohet sërish me veprat e Mazevit –
artist, pedagog dhe vizionar, krijimtaria e të cilit mbetet një dëshmi e përhershme e
fuqisë së artit maqedonas dhe e vlerave të tij universale.

Accessibility Menu