Ekspozita “Dokumente Arkivore” e profesoreshës dhe artistes pamore Zhaneta Vangjeli paraqet projektin e parë programor të Galerisë Nacionale për vitin 2026. Projekti do të realizohet në Qendrën Kulturore-Informative të Maqedonisë së Veriut në Zagreb, me mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë me ftesë të presidentit kroat Zoran Milanoviq, sonte në orën 19:00 do ta hapë solemnisht ekspozitën.
Në hapje do të mbajnë fjalë edhe drejtoresha e Qendrës Kulturore, Mimi Gjorgjoska Ilievska, drejtori i Galerisë Nacionale, Ali Sinani, si dhe kuratorja e ekspozitës, Maja Krstevska. Në ngjarje do të marrë pjesë edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kroacisë, Sh.T. Dragan Gjurçeski.
Galeria Nacionale vazhdon me promovimin aktiv të kulturës maqedonase dhe artit bashkëkohor në Kroaci. Pas prezantimit të suksesshëm vitin e kaluar të një grupi artistësh bashkëkohorë maqedonas në Zagreb, bashkëpunimi vazhdon edhe këtë vit. Ekspozita “Dokumente Arkivore” është paraqitja e parë e Zhaneta Vangjelit para publikut kroat dhe përfshin 41 vepra të realizuara në teknikën print në pleksiglas, si dhe materiale audio.