Sonte, me fillim në orën 21:00, në kishën “Shën Sofja” në Ohër do të mbahet koncerti “Mbrëmje hungareze”, ku do të interpretojnë klarinetistja e re hungareze Noemi Salai dhe pianistja Aleksandra Balog.
Në program janë vepra nga Robert Shuman , Mate Bella, Zolltan Kodaly, Rezso Kokai dhe Bela Bartok.
Salai, e diplomuar në Kolegjin “Bard” dhe me studime master në “Juilliard”, është pjesëmarrëse në programin prestigjioz “Ensemble Connect” të “Carnegie Hall” dhe fituese e disa çmimeve. Balog është laureate e Konkursit Ndërkombëtar “Béla Bartók”, bursiste e Fulbright-it, fituese e çmimit “Prima” dhe e përzgjedhur ndër “30 më të mirët nën 30 vjeç” nga “Forbes Hungary”.
Publiku do të ketë mundësi të shijojë interpretime të nivelit të lartë të muzikës klasike hungareze dhe evropiane në ambientin e veçantë të “Shën Sofisë”.