"Qëllimet strategjike dhe zhvillimi i diplomacisë kulturore- roli i qendrave kulturore dhe informative" ishte titulli i panelit që u mbajt dje në ambientet e Qendrës Kulturore dhe Informative së Maqedonisë në Sofje, me rastin e përvjetorit të rëndësishëm, duke shënuar 20 vjetorin e ekzistencës së qendrës dhe aktiviteteve të dedikuara kulturore. Panelistët ishin drejtorët e QIK Zagreb, Beograd, Stamboll dhe Sofje, Mimi Gjorgoska-Ilievska, Vasko Shutarov, Dime Ratajkoski dhe Zoran Pejkovski, të cilët i dhanë ngjarjes një rëndësi ndër-rajonale.
Në takim, panelistët shkëmbyen mendime mbi rolin aktual dhe të ardhshëm të qendrave kulturore dhe informative maqedonase jashtë vendit, me theks të veçantë në kontributin e tyre në avancimin e diplomacisë kulturore, përmes shkëmbimit të përvojave, sfidave dhe vizioneve për zhvillim.
Eventi, në të cilin mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Maqedonisë në Bullgari, Agneza Rusi-Popovska, konfirmoi jo vetëm fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, por edhe rëndësinë e mbështetjes shtetërore.
Në pjesën e fundit të panelit, fjalën e morën edhe vizitorët, të cilët ndanë përshtypjet e tyre për punën e QIK Sofje, duke theksuar përkushtimin, vazhdimësinë dhe sinqeritetin e saj në misionin e ndërtimit të urave kulturore.
Me rastin e përvjetorit, drejtori Zoran Pejkovski ndau mirënjohje dhe letra falënderimi për kolegët e tij drejtorë, duke konfirmuar edhe një herë se diplomacia kulturore nuk është përpjekje individuale, por mision i përbashkët.
Që nga themelimi i saj në vitin 2005, QIK Sofje ka qenë promovuese e vazhdueshme e kulturës maqedonase, duke organizuar qindra ekspozita, koncerte, mbrëmje letrare, shfaqje të filmave dhe programe gjuhësore.