U hap solemnisht pavijoni maqedonas në edicionin e 61-të të Bienales së Venecias

U hap solemnisht pavijoni maqedonas në edicionin e 61-të të Bienales së Venecias

Në hapësirën me memorie të fuqishme shpirtërore dhe historike “Ex Capella Buon Pastore”, dje u hap solemnisht pavijoni maqedonas në kuadër të edicionit të 61-të të ngjarjes më prestigjioze botërore në fushën e artit bashkëkohor – Bienales së Artit në Venecia.

 

Në promovimin solemn të përfaqësuesit kombëtar të këtij viti, projektit “Pieta në mbulesat e urgjencës / Will my eyes be closed or open?” nga artisti Velimir Zhernovski, në kurimin e Tihomir Topuzovskit dhe Amanda Beçkes, para të pranishmëve foli sekretarja shtetërore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Marija S. Gjorgova.

 

Gjorgova në fjalimin e saj theksoi se pjesëmarrja e Republikës së Maqedonisë paraqet “një konfirmim të qartë se kultura maqedonase ka çfarë të thotë në gjuhën e artit bashkëkohor”.

 

Duke folur për veprën e Zhernovskit, Gjorgova theksoi se bëhet fjalë për një shprehje artistike të fuqishme dhe shumështresore, ku motivi klasik i Pietës është transformuar në një gjuhë moderne vizuale që lidh trashëgiminë historike me realitetet aktuale të botës.

 

Ajo veçoi edhe simbolikën e mbulesave mbrojtëse “të arta”, të cilat, siç tha, janë njëkohësisht mbrojtje dhe alarm, rikujtim i kohës së krizave, por edhe i nevojës që humaniteti të rimendohet sërish.

 

Sipas Gjorgovës, vendosja e pavijonit maqedonas në “Ex Capella Buon Pastore” i jep një dimension shtesë veprës, e cila “shndërrohet në urë mes së kaluarës dhe së tashmes, mes intimes dhe universales”.

 

Gjorgova u ndal edhe te koncepti i edicionit të sivjetshëm të Bienales, nën kurimin e Koyo Kouoh dhe me titullin “In Minor Keys” (“Në tonalitete mol”), duke theksuar se kjo temë hap hapësirë për tregime të qeta, subtile dhe shpesh të neglizhuara, të cilat ftojnë në empati, reflektim dhe rezistencë thelbësore në kohë sfidash globale.

 

Në Bienalen e 61-të të Artit këtë vit marrin pjesë mbi njëqind artistë dhe prezantohen më shumë se 80 pavijone kombëtare nga e gjithë bota, të cilat përmes mediave dhe qasjeve të ndryshme trajtojnë temat kyçe të kohës sonë – nga migrimet dhe ndryshimet klimatike deri te konfliktet politike dhe çështjet e identitetit.

 

 

 

Accessibility Menu