Teatri i Mariborit mysafir në TKM me “Amadeus” në regji të Popovskit

Teatri i Mariborit mysafir në TKM me “Amadeus” në regji të Popovskit

Në skenën e Teatrit Kombëtar Maqedonas më 1 prill, në kuadër të shënimit të 81-vjetorit të TKM-së, do të shfaqet Teatri Kombëtar Slloven nga Maribori me shfaqjen “Amadeus” të dramaturgut të shpërblyer Peter Shafer dhe në regji të regjisorit maqedonas me famë ndërkombëtare Aleksandar Popovski.

 

Shfaqja është dramë komike pseudobiografike për njërin nga kompozitorët më të famshëm të të gjitha kohërave, e shkruar nga dramaturgu, skenaristi dhe romancieri anglez, fitues i shumë çmimeve prestigjioze. Drama më e njohur e Shafer-it, “Amadeus”, u shfaq për herë të parë në vitin 1979 dhe fitoi famë botërore falë filmit me të njëjtin titull të Milosh Formanit (1984). Në veprën e tij më të njohur, Shafer përmbledh rrethanat historike dhe krijon profile të sakta psikologjike të protagonistëve. Drama është shkruar në stilin e dramaturgjisë retrospektive, gjë që mundëson zgjidhje të gjera epike regjisoriale dhe mundësi të shumta për realizime të shkëlqyera aktoriale.

 

“Amadeus” bazohet në mitin për jetën dhe rivalitetin mes kompozitorëve Volfgang Amadeus Mocart dhe Antonio Salieri. Shafer merr frymëzim nga drama e shkurtër e Aleksandër Pushkinit “Mozart dhe Salieri” e vitit 1830.

 

Në shfaqje interpretojnë Alesh Valiq, Zhan Koprivnik, Julija Klavzhar, Davor Herga, Matija Stipaniq, Matevzh Biber, Katarina Barbara Krnjak, Sofia Tiki, Tina Rojko, Eva Mlakar Poshtrak dhe Boris Kavaca – zëri. Në ekipin krijues firmosen Vanja Magiq – skenograf, Marita Çopo dhe Mia Popovska – kostumografe, si dhe Rosana Hribar – koreografe.

 

Aleksandar Popovski ynë, përveç se ka firmosur regjinë e shfaqjes mysafire “Amadeus”, është edhe drejtor artistik i Dramës së Mariborit.

Accessibility Menu