Në Split, dje u mbajt dita e tretë e festivalit në kuadër të edicionit të dytë të Festivalit shëtitës të Filmit Maqedonas në Kroaci, i organizuar nga Qendra Informative Kulturore Maqedonase në Zagreb dhe Kinoteka e Maqedonisë.
Në Qendrën Kulturore Maqedonase “Makedonija” në Split u mbajt tribuna “Dialog i kuadrove – roli i Kinotekës së Maqedonisë në mbrojtjen e trashëgimisë filmike dhe promovimin ndërkombëtar të kinematografisë maqedonase”. Të pranishmëve iu drejtuan kryetarja e shoqatës, Marta Zhaja, dhe drejtoresha e Qendrës Informative Kulturore Maqedonase në Zagreb, Mimi Gjorgoska Ilievska, të cilat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy vendeve.
Për rolin e Kinotekës foli drejtori Boshko Grujoski, ndërsa Damjana Patçeva dhe Tihomir Kashmicovski u ndalën në sfidat që lidhen me digjitalizimin, mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë filmike.
Në sallën e kinemasë të Qendrës së Kulturës “Zlatna Vrata” u mbajt edhe shfaqja ekskluzive “Oskaristët maqedonas”, me filmat “Dae” (Nëna) të Stole Popovit dhe “Toka e mjaltit” të Tamara Kotevskës dhe Ljubomir Stefanovit.
Me programin në Split përfundoi destinacioni i parë i festivalit. Festivali gjatë shtatorit dhe tetorit vazhdon edhe në 10 qytete të tjera në mbarë Kroacinë, në partneritet me Rrjetin e Shfaqësve të Pavarur të Filmit në Kroaci dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.