Kultura maqedonase në fokusin e Panairit të 35-të Ndërkombëtar të Librit në Abu Dhabi

Kultura maqedonase në fokusin e Panairit të 35-të Ndërkombëtar të Librit në Abu Dhabi

Një delegacion i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, i kryesuar nga sekretarja shtetërore për Kulturë dhe Turizëm, Besa Oda Murteza, sot merr pjesë në hapjen e Panairit të 35-të Ndërkombëtar të Librit në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, ku Republika e Maqedonisë së Veriut këtë vit është mysafire nderi dhe partnere.

 

Pjesëmarrja në panaire të tilla ndërkombëtare paraqet mundësi të rëndësishme për promovimin e trashëgimisë kulturore, letërsisë dhe krijimtarisë bashkëkohore të vendit tonë, por edhe platformë për vendosjen e partneriteteve të reja kulturore dhe profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e kulturës maqedonase ndaj tregjeve të reja ndërkombëtare.

 

Në kuadër të programit „Kultura e Ballkanit – mysafir nderi“, Maqedonia e Veriut u prezanton vizitorëve pjesë të trashëgimisë së saj të pasur dhe shumëdimensionale kulturore, si dhe prodhimtarinë bashkëkohore letrare. Në stendën kombëtare janë ekspozuar dorëshkrime origjinale nga koleksioni „Orientalistika“ i BNU „Shën Klimenti i Ohrit“ – Shkup, ndër të cilat edhe dorëshkrime më të vjetra se 600 vjet, artefakte nga pasuria kulturore kombëtare të Muzeut Arkeologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe botime nga letërsia bashkëkohore maqedonase dhe përkthime nga arabishtja në gjuhën maqedonase.

 

Përmes këtij prezantimi theksohet edhe lidhja historike e hapësirës maqedonase me qytetërime dhe kultura të ndryshme, si dhe tradita e gjatë e shkëmbimit intelektual dhe kulturor me botën arabe.

 

Programi i panairit përfshin biseda letrare dhe kulturore, diskutime në panel, performanca artistike dhe prezantime të kulturës tradicionale, me qëllim që vizitorëve nga bota arabe dhe ajo ndërkombëtare t’u afrohen letërsia, larmia gjuhësore dhe kulturore, si dhe trashëgimia artistike e Ballkanit.

 

„Panaire të tilla ndërkombëtare janë shumë më tepër se vende ku prezantohen libra. Ato janë hapësira ku kulturat takohen, vendosin dialog dhe krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim.

 

Pjesëmarrja jonë si mysafire nderi dhe partnere në Abu Dhabi është mundësi e rëndësishme për ta prezantuar letërsinë maqedonase, trashëgiminë kulturore dhe krijimtarinë bashkëkohore para një publiku të ri ndërkombëtar, por edhe për të hapur dyer të reja për autorët, botuesit dhe institucionet tona kulturore“, theksoi sekretarja shtetërore për Kulturë dhe Turizëm, Besa Oda Murteza.

Ajo theksoi se veçanërisht e rëndësishme është dimensioni profesional i pjesëmarrjes, i cili mundëson lidhjen e botuesve, autorëve, institucioneve kulturore dhe profesionistëve të tjerë nga Ballkani me kolegët e tyre nga bota arabe dhe tregu ndërkombëtar i librit.

 

„Kjo është mundësi që kulturën ta përdorim si urë lidhëse mes njerëzve dhe shteteve, por edhe si mjet konkret për krijimin e partneriteteve të reja, përkthimeve, bashkëpunimeve botuese dhe shkëmbimit ndërkombëtar. Dua që kultura maqedonase të jetë e dukshme, e pranishme dhe e njohur në platformat e mëdha kulturore botërore“, shtoi Murteza.

 

Organizatori i Panairit Ndërkombëtar të Librit në Abu Dhabi mori gjithashtu vendim të rëndësishëm, duke ia dhuruar Republikës së Maqedonisë së Veriut stendën kombëtare të përgatitur për këtë panair. Stenda në të ardhmen do të jetë në pronësi të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe do të mund të përdoret gjatë prezantimit të kulturës dhe letërsisë maqedonase në panaire ndërkombëtare dhe ngjarje të tjera kulturore jashtë vendit.

 

Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut si mysafire nderi dhe partnere në Panairin e 35-të Ndërkombëtar të Librit në Abu Dhabi paraqet hap të rëndësishëm në forcimin e dukshmërisë ndërkombëtare të kulturës maqedonase dhe në krijimin e lidhjeve afatgjata kulturore me botën arabe dhe skenën më të gjerë kulturore ndërkombëtare.

 

Përmes librit, letërsisë, artit dhe trashëgimisë kulturore, panairi në Abu Dhabi lidh kultura dhe qytetërime të ndryshme dhe hap hapësirë për dialog, bashkëpunim, shkëmbim dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Accessibility Menu