Provimi për marrjen e licencës së lektorit mbahet një herë në muaj, çdo muaj, me përjashtim të muajit korrik, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase, Rregulloren për mënyrën e dhënies së provimit për marrjen e licencës së lektorit dhe programin e provimit, si dhe Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për mënyrën e dhënies së provimit për marrjen e licencës së lektorit dhe programin e provimit.
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë kërkesë për dhënien e provimit. Kërkesa për dhënien e provimit për lektor është e disponueshme në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe dorëzohet çdo ditë pune, nga dita e parë deri më datën dhjetë të muajit, në arkivin e Ministrisë.
Me kërkesën për dhënien e provimit, kandidati është i detyruar të dorëzojë dëshmi për përmbushjen e kushtit për dhënien e provimit nga neni 10 paragrafi (2) i Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, respektivisht diplomë për përfundimin e arsimit të lartë katërvjeçar në programet studimore Gjuha Maqedonase ose Gjuha dhe Letërsia Maqedonase, me lëndë kryesore të parë Gjuhën Maqedonase (kopje e vërtetuar te noteri).
Provimi jepet sipas Programit për dhënien e provimit për marrjen e licencës së lektorit. Ai përbëhet nga tri pjesë: test hyrës, provim praktik dhe provim me gojë.
Kandidati që nuk e kalon testin hyrës nuk mund të paraqitet për provim në dy muajt e ardhshëm në të cilët mbahet provimi për lektor, ndërsa për çdo paraqitje duhet të dorëzohet kërkesë e re dhe e gjithë procedura për dhënien e provimit për lektor fillon nga e para. Kandidatit që e ka kaluar testin hyrës, por nuk e ka kaluar provimin praktik, testi hyrës i vlefshëm i mbetet vetëm për afatin e ardhshëm të provimit. Kandidatit që e ka kaluar provimin praktik, por nuk e ka kaluar provimin me gojë, provimi praktik i vlefshëm i mbetet vetëm për afatin e ardhshëm të provimit.
Informacione lidhur me provimin për lektorë mund të merren në adresën elektronike: lektorskiispit@kultura.gov.mk ose në numrin e telefonit: (02) 324 0572, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në ora 12:00, te personi përgjegjës për zbatimin e provimit për marrjen e licencës së lektorit.