Ministria e Kulturës dhe Turizmit po merr pjesë në Panairin Botëror të Turizmit – Londër 2026, një nga panairet kryesore botërore të turizmit, i cili mbahet nga 3 deri më 5 nëntor në qendrën e ekspozitave ExCeL London, në Mbretërinë e Bashkuar.
Përmes pjesëmarrjes në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, Ministria po e promovon Maqedoninë e Veriut si një destinacion turistik autentik, të larmishëm dhe të qëndrueshëm, me potenciale të pasura turistike dhe mundësi zhvillimi.
Prezantimi i vendit ngjalli interesim te operatorët turistikë ndërkombëtarë dhe profesionistët e sektorit të turizmit. Bukuritë natyrore, trashëgimia e pasur kulturore dhe historike, tradita, gastronomia dhe përvojat autentike që ofron vendi përbëjnë një potencial të rëndësishëm për tërheqjen e vizitorëve të rinj dhe pozicionimin e shtetit në hartën ndërkombëtare të turizmit.
Në prezantimin kombëtar, krahas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, si bashkëekspozues morën pjesë edhe përfaqësues të sektorit turistik dhe hotelierik: Balkan Prime Tours, Kamelija, Makedonijaturist, Aldinis Travel, Spirit of Prespa, Komuna e Strugës, Hotel Marriott, ABC Rent a Car, Kompas Skopje, Macedonia Experience, DMC Ohrid dhe Experience Balkan.
Pjesëmarrja e tyre mundësoi prezantimin e përbashkët të ofertës së larmishme turistike të vendit, vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me partnerë ndërkombëtarë dhe krijimin e mundësive për bashkëpunime dhe aranzhime të reja turistike.
Panairi Botëror i Turizmit – Londër 2026 (WTM London 2026) përbën një platformë të rëndësishme për prezantimin e ofertës turistike kombëtare, krijimin e partneriteteve të reja dhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe për lidhjen e subjekteve turistike vendase me operatorë turistikë ndërkombëtarë, agjenci turistike, kompani ajrore, media dhe aktorë të tjerë relevantë të industrisë globale të turizmit.