“17” i Kosara Mitiqit është kandidati maqedonas për “Oscar”

“17” i Kosara Mitiqit është kandidati maqedonas për “Oscar”

Filmi artistik me metrazh të gjatë “17”, me regji të Kosara Mitiqit dhe në produksion të “Crna Maçka Produkcija”, është përzgjedhur si kandidat maqedonas për çmimin “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar me metrazh të gjatë.

 

Vendimi u mor nga Komisioni për përzgjedhjen e kandidatit nacional për “Oscar” pranë Shoqatës së Punonjësve të Filmit të Maqedonisë, përbërja e të cilit është pranuar dhe miratuar nga Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave të Filmit: Marija Dimitrova – kryetare e Komisionit dhe producente, Antonio Mitriqeski – regjisor, Dejan Dimeski – drejtor fotografie, Ivan Bartling – skenograf, Georgi Unkovski – regjisor, Teuta Ajdini Jegeni – aktore dhe Sara Fero – producente.

 

Për përzgjedhjen e kandidatit për “Oscar” këtë vit ishin paraqitur dy filma artistikë me metrazh të gjatë: “Skejtbordingu nuk është për vajza” i Dina Dumës dhe “17” i Kosara Mitiqit.

 

Filmi “17” pati premierën e tij botërore në programin “Perspektiva” të edicionit të 76-të të Festivalit të Filmit në Berlin, ndërsa deri më tani ka fituar 11 çmime ndërkombëtare. Mes tyre janë: çmimi për filmin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Uruguai; çmimi për distribuim në Festivalin e Filmit në Bolzano; çmimi i publikut dhe mirënjohja speciale për Eva Kostiq në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Las Palmas; çmimi për aktoren më të mirë për Eva Kostiq në “Bella Tofifest” në Poloni; çmimi “GWFF” për filmin më të mirë ndërkombëtar debutues në Festivalin e Filmit në Jerusalem; “Zemra e Sarajevës” për aktoren më të mirë për Eva Kostiq, çmimi special për promovimin e barazisë gjinore, çmimi “Cineuropa” dhe çmimi i publikut për filmin më të mirë artistik në Festivalin e Filmit në Sarajevë; si dhe “Mimoza e Artë” për regjinë më të mirë për Kosara Mitiqin në Festivalin e Filmit në Herceg Novi.

 

Në film luajnë: Eva Kostiq, Martina Danillovska, Eva Stojçevska, Petar Maniq, Irena Dimeska, Luna Bejkov, Hristijan Risteski, Alina Hristovska, Dame Joveski, Jovan Todorov, Mina Jellushiq, Todor Stojkovski, Ivo Jezdiq, Ana Stojanovska, Zhaklina Stevkovska, Sashko Kocev dhe Oliver Mitkovski.

 

Skenari është i Kosara Mitiqit dhe Ognjen Sviliçiqit, producentë janë Tomi Salkovski dhe Kristijan Burovski, drejtor fotografie është Naum Doksevski, skenografë janë Dejan Gjorshevski dhe Aleksandra Çevreska, kostumet janë të Zhaklina Krstevskës, grimi dhe frizurat janë realizuar nga Karla Laziq (Serbi), regjistrues i zërit është Aljazh Lukan (Slloveni), ndërsa montazhier është Vladimir Pavlovski. Filmi është produksion i “Crna Maçka Produkcija”, në bashkëprodhim me “Art&Popkorn” nga Serbia dhe “December” nga Sllovenia, ndërsa agjent ndërkombëtar i shitjes është “Totem”.

 

Ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve të 99-ta të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit do të mbahet më 14 mars 2027 në Los Anxhelos. Lista e filmave që do të hyjnë në përzgjedhjen e ngushtë për “Oscar” do të publikohet më 15 dhjetor 2026, ndërsa nominimet do të shpallen më 21 janar 2027.

Accessibility Menu