Filloi procesi për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2027–2032

Filloi procesi për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2027–2032

Sot, në Muzeun e Luftës Maqedonase në Shkup, u mbajt debati i parë publik kushtuar hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2027–2032. Në këtë ngjarje u drejtua Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Llutkov, i cili theksoi se fillimi i procesit të përgatitjes së Strategjisë së re Kombëtare paraqet një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sektori turistik bashkëkohor, të qëndrueshëm dhe konkurrues.

 

Në fjalimin e tij, ministri theksoi se turizmi është një nga shtytësit kryesorë të zhvillimit ekonomik, krijon vende të reja pune, tërheq investime dhe kontribuon në promovimin e shtetit në skenën ndërkombëtare. Ai theksoi se, në kushtet e ndryshimeve të shpejta globale, digjitalizimit dhe kërkesave të reja të turistëve bashkëkohorë, është i domosdoshëm një qasje strategjike që do të sigurojë zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të industrisë turistike.

 

“Maqedonia disponon me pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore; detyra jonë është që këtë potencial ta shndërrojmë në një avantazh të fuqishëm konkurrues dhe në një brend turistik të njohur në rajon dhe më gjerë”, theksoi ministri Llutkov.

 

Në debatin publik morën pjesë përfaqësues të agjencive turistike, sektorit hotelier, guidave turistike, punonjësve të gastronomisë, përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes lokale, shoqatave turistike, odave ekonomike, komunitetit akademik dhe ekspertë të fushës së turizmit.

 

Në kuadër të procesit të hartimit të strategjisë, janë paraparë disa konsultime publike dhe punëtori tematike me të gjitha palët e interesuara, me qëllim që të sigurohet konsensus i gjerë dhe pjesëmarrje aktive në krijimin e politikave të ardhshme për zhvillimin e turizmit.

 

Strategjia e re Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2027–2032 do të fokusohet në zhvillimin e balancuar rajonal të turizmit, menaxhimin efektiv të destinacioneve, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e qëndrueshme të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, digjitalizimin dhe promovimin modern turistik, zhvillimin e produkteve dhe përvojave të reja turistike, si dhe avancimin e cilësisë së shërbimeve dhe të burimeve njerëzore në sektor.

 

Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e konfirmon përkushtimin e saj për një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, në të cilin publiku profesional dhe sektori i turizmit do të kenë rol kyç në përcaktimin e vizionit për zhvillimin e ardhshëm të turizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Accessibility Menu