Llutkov dhe Perinski nga Strumica: Çdo investim i ri nënkupton një mundësi të re për zhvillim lokal, kulturor dhe turistik

Llutkov dhe Perinski nga Strumica: Çdo investim i ri nënkupton një mundësi të re për zhvillim lokal, kulturor dhe turistik

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, morën pjesë sot në ngjarjen fillestare të projektit “CulTour Crossing Borders” (“Antik Europos – Liqeni i Dojranit – Termat Romake në Bansko: Kalimi i Kufijve për Kulturë dhe Turizëm të Qëndrueshëm”), i cili realizohet në kuadër të Programit Interreg VI-A IPA për bashkëpunim ndërkufitar me Republikën e Greqisë.

 

Mikpritës të ngjarjes ishin drejtori i Institucionit Nacional për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Strumicë, Brane Georgiev, si dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve partnere të përfshira në realizimin e projektit.

 

Projekti ka një vlerë totale prej 1.382.043 eurosh dhe do të realizohet gjatë një periudhe prej 24 muajsh. Vlera e aktiviteteve që do të zbatohen nga partnerët maqedonas arrin në 451.603 euro, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale siguron bashkëfinancim kombëtar në vlerë prej 90.321 eurosh.

 

Në kuadër të projektit do të realizohen aktivitete për mbrojtjen dhe rivitalizimin e lokalitetit “Termat Romake – Bansko”, ndërtimin e mureve mbajtëse, vendosjen e një pike turistike informuese me sistem fotovoltaik, rregullimin e shtigjeve hyrëse për vizitorët dhe ndërtimin e një strukture moderne mbuluese për mbrojtjen e mbetjeve arkeologjike.

 

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, theksoi se projekti përfaqëson një tjetër shembull të suksesshëm se si fondet evropiane mund të kontribuojnë në zhvillimin lokal, përmirësimin e ofertës turistike dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore.

 

“Bashkëpunimi ndërkufitar nuk nënkupton vetëm mbështetje financiare. Ai krijon mundësi për investime të reja, shkëmbim përvojash dhe realizim projektesh që sjellin përfitime konkrete për qytetarët. Në një kontekst më të gjerë, projekti është pjesë e thirrjes së parë të Programit Interreg VI-A IPA me Greqinë, në kuadër të së cilës janë miratuar gjithsej 19 projekte me buxhet mbi 18 milionë euro.

 

Në to marrin pjesë 36 përfitues nga vendi ynë, me një vlerë të përgjithshme prej 8,6 milionë eurosh. Këto shifra tregojnë se institucionet dhe organizatat e vendit po i shfrytëzojnë me sukses mundësitë që ofrojnë programet evropiane për realizimin e projekteve me rëndësi lokale dhe rajonale”, deklaroi Perinski.

 

Ai theksoi se Strumica është një nga komunat ku gjatë vitit të fundit po realizohen vazhdimisht projekte të rëndësishme me mbështetje nga burime vendore dhe evropiane financimi.

 

“Më gëzon fakti që kohët e fundit po e vizitoj më shpesh Strumicën për shkak të realizimit të projekteve të ndryshme zhvillimore dhe infrastrukturore. Sinqerisht dëshiroj që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse çdo vizitë e re nënkupton një investim të ri, një projekt të ri dhe një përfitim të ri për qytetarët. Përveç mbështetjes përmes programeve evropiane, përmes dy thirrjeve publike për projekte infrastrukturore, Komuna e Strumicës ka përfituar mbështetje për 12 projekte me vlerë totale prej 335.482.797 denarësh”, theksoi Perinski.

 

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, deklaroi se me këtë projekt fillon një fazë e re në mbrojtjen dhe valorizimin turistik të njërit prej lokaliteteve më të rëndësishme arkeologjike në vend.

 

“Janë përgatitur të gjitha dokumentet dhe lejet e nevojshme, janë përfunduar procedurat e prokurimit publik dhe fillon realizimi i aktiviteteve ndërtimore. Projekti realizohet në partneritet me institucione dhe organizata nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, gjë që përbën një tjetër shembull të rëndësisë së bashkëpunimit ndërkufitar. Qëllimi ynë është që trashëgimia kulturore të ruhet, por edhe të vihet në funksion të zhvillimit – përmes turizmit kulturor, mundësive të reja për komunitetin lokal dhe promovimit më të madh të trashëgimisë së pasur të shtetit tonë”, deklaroi Llutkov.

 

Projekti “CulTour Crossing Borders” lidh lokalitetet Antik Europos në Kilkis, Liqenin e Dojranit dhe Termat Romake në Bansko në një itinerar të përbashkët kulturor dhe turistik ndërkufitar, i cili do të mbështetet me përmbajtje digjitale, aktivitete promovuese dhe zgjidhje moderne për prezantimin e trashëgimisë kulturore.

 

 

 

 

Accessibility Menu