Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, realizoi takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shkup, Rita Columbia, si dhe me përfaqësues të agjencive të OKB-së në vend. Në takim u shkëmbyen mendime për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me theks të veçantë në rolin e kulturës në lidhjen e komuniteteve, nxitjen e dialogut dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e Kornizës së nënshkruar të Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm 2026–2030, e cila orienton aktivitetet e agjencive të OKB-së në vend dhe është komplementare me procesin e integrimit evropian.
Ministri Sulejmani shprehu mirënjohje për mbështetjen në hartimin e studimit të vizibilitetit për bregun e rajonit të Ohrit, i cili është në shqyrtim në Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe theksoi angazhimin e Qeverisë për mbrojtjen e rajonit.
Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e partneriteteve për realizimin e projekteve që do të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit kulturor dhe turistik. U prezantuan gjithashtu iniciativat aktuale të UNDP-së, UNOPS-it dhe UNEP-it, ndërsa u shkëmbyen edhe mendime rreth realizimit të projektit „Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028“.
Koordinatorja Columbia konfirmoi gatishmërinë e OKB-së për të mbështetur projekte që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, mundësitë e barabarta dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve, artistëve dhe punonjësve të kulturës në jetën shoqërore dhe kulturore.