“Me institucione e mbrojmë shtetësinë, me punë ekonominë, me ligje demokracinë. Por të ardhmen e sigurojmë vetëm me kulturën. Sepse vetëm ajo krijon vazhdimësi. Vetëm ajo krijon përkatësi. Vetëm ajo krijon kujtesë.” – porositi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, në hapjen solemne të edicionit të 66-të të festivalit “Vera e Ohrit”, duke theksuar se kultura është themeli më i fuqishëm i identitetit kombëtar dhe trashëgimia më e vlefshme që një shtet ua lë brezave të ardhshëm.
Me koncertin gala “Dashuria”, ku performuan diva e operës me famë botërore Ermonela Jaho nga Shqipëria dhe tenori i njohur Charles Castronovo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shoqëruar nga Orkestra e Operës dhe Baletit Kombëtar nën dirigjimin e maestros Marco Boemi nga Italia, mbrëmë në Teatrin Antik u hap solemnisht edicioni i 66-të i manifestimit më prestigjioz ndërkombëtar muzikor-skenik në Maqedoni – “Vera e Ohrit”.
Në fjalimin e tij, ministri Llutkov theksoi se “Vera e Ohrit” nuk është vetëm një festival, por një simbol i gjallë i vazhdimësisë kulturore maqedonase dhe një dëshmi se shtetet nuk njihen vetëm për fuqinë e tyre politike dhe ekonomike, por edhe për vlerat që krijojnë dhe lënë pas.
Në prani të Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, korit diplomatik, bashkësive fetare, veprimtarëve të kulturës dhe mysafirëve të shumtë nga vendi dhe jashtë tij, festivali edhe këtë vit përcolli një mesazh të fuqishëm se Ohri mbetet vendi ku takohen arritjet më të larta të artit botëror dhe maqedonas, ndërsa kultura vazhdon të jetë ura më e fortë ndërmjet popujve dhe qytetërimeve.