Takim i ministrit Llutkov me sekretarin e përgjithshëm të TURKSOY-it, Sultan Raev

Takim i ministrit Llutkov me sekretarin e përgjithshëm të TURKSOY-it, Sultan Raev

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot zhvilloi një takim me Sultan Raevin, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Kulturës Turke – TURKSOY.

 

Gjatë takimit, ministri Llutkov shprehu mirënjohje për mikpritjen e treguar gjatë vizitës së tij në Ankara disa muaj më parë dhe shprehu kënaqësinë që sekretari i përgjithshëm Raev tani ka mundësinë të vizitojë vendin tonë, të njihet me kryeqytetin tonë, si dhe me një nga qytetet më të bukura të Ballkanit, Ohrin.

 

Në këtë kontekst, dhe në funksion të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar, ministri Llutkov theksoi se faza e ardhshme duhet të fokusohet në zbatimin e aktiviteteve dhe iniciativave konkrete, duke nënvizuar se ky dokument nuk duhet të mbetet vetëm një kornizë formale në letër, por duhet të rezultojë me realizimin e një numri të madh projektesh të përbashkëta.

 

Sekretari i përgjithshëm Raev, gjithashtu, falënderoi për mikpritjen dhe u ndal te puna e TURKSOY-it, organizatë në të cilën marrin pjesë gjashtë shtete anëtare dhe tetë shtete me status vëzhguesi. Ai e informoi ministrin Llutkov se gjatë periudhës së kaluar janë nënshkruar memorandume me disa shtete me qëllim rregullimin dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës.

 

Raev shprehu veçanërisht kënaqësinë që iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjes me Maqedoninë, e cila daton që nga viti 2018, është realizuar pikërisht gjatë mandatit të ministrit Llutkov. Me këtë rast, ai shprehu falënderim të sinqertë për angazhimin personal të ministrit në procesin e harmonizimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti të rëndësishëm.

 

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe TURKSOY-it ka potencial të madh dhe se në periudhën e ardhshme duhet të punohet në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve konkrete që do të kontribuojnë në avancimin e shkëmbimit kulturor, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Accessibility Menu