Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, së bashku me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe përfaqësues të komunës, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, zhvilloi takim në Ankara me zëvendësministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Nadir Alparslan.
Delegacioni u shoqërua nga ish-kryetari i Komunës së Bursës, Rexhep Alltepe, dhe ish-zëvendëssekretari i përgjithshëm i Komunës së Bursës, urbanisti Bajram Vardar.
Në qendër të takimit ishte mundësia e bashkëpunimit institucional për hartimin e një projekti gjithëpërfshirës për restaurimin dhe mbrojtjen e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, si një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe simbol i historisë dhe kulturës së përbashkët shumëshekullore.
Gjatë bisedimeve, palët shprehën gatishmëri të ndërsjellë për bashkëpunim dhe u dakorduan për përgatitjen e një masterplani, si dhe formimin e një bordi këshillëdhënës që do të shërbejë për koordinimin e aktiviteteve dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm në realizimin e këtij projekti.
Ministri Sulejmani theksoi rëndësinë e ruajtjes së autenticitetit dhe vlerave historike të Çarshisë së Vjetër, duke vlerësuar se bashkëpunimi me institucionet turke dhe përvoja e tyre në restaurimin e qendrave historike paraqesin mundësi të rëndësishme për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij kompleksi kulturor.
Vizita paraqet hap të rëndësishëm drejt konkretizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një qasjeje të koordinuar për restaurimin, mbrojtjen dhe promovimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.