Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Institucionet kulturore në Manastir në fokus të vizitës së punës së ministrit Sulejmani

Institucionet kulturore në Manastir në fokus të vizitës së punës së ministrit Sulejmani

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, sot e filloi vizitën e punës në institucionet kulturore në Manastir me vizitën në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku e vizitoi ekspozitën e përhershme muzeore kushtuar rëndësisë historike të Manastirit në zhvillimin e shkrimit shqip dhe mbajtjes së Kongresit të Manastirit në vitin 1908.

 

Në kuadër të vizitës, ministri realizoi takime edhe me drejtorët e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Manastir, Qendrës së Kulturës, Teatrit Kombëtar – Manastir dhe Orkestrës së Odës në Manastir. Në takimet me Nuer Arsllanin, Margareta Spasov, Sasho Ilkovskin, Vasko Mavrovskin dhe Ljupço Milevskin, Sulejmani u njoh me gjendjen aktuale të institucioneve, aktivitetet e tyre programore, projektet e realizuara, si dhe me sfidat dhe nevojat për funksionimin dhe avancimin e tyre të mëtejshëm.

 

Gjatë vizitës, ministri Sulejmani inspektoi edhe punimet ndërtimore për rikonstruksionin, sanimin dhe përshtatjen e ish-kinemasë “Partizan”, projekt kapital me vlerë prej 94 milionë denarësh.

 

“Punimet po zhvillohen me dinamikë të mirë dhe presim që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm 2027, ta rinovojmë plotësisht dhe ta vëmë në funksion këtë objekt, i cili do të shndërrohet në qendër kulturore moderne dhe multifunksionale. Kjo qendër do të krijojë mundësi të reja për organizimin e koncerteve, ekspozitave, shfaqjeve filmike dhe ngjarjeve të tjera kulturore, si dhe do të jetë vend i ri takimi për artistët dhe qytetarët”, theksoi Sulejmani.

 

Manastiri është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në vend, me trashëgimi të pasur kulturore dhe traditë të fuqishme institucionale e artistike. Përmes investimeve në infrastrukturën kulturore, mbrojtjes dhe afirmimit të trashëgimisë kulturore, si dhe mbështetjes së krijimtarisë kulturore, Ministria e Kulturës dhe Turizmit vazhdon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e jetës kulturore dhe qasje më të gjerë të qytetarëve në përmbajtjet kulturore.

 

 

Accessibility Menu