Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, zhvilloi sot vizitë pune në Muzeun e Kumanovës dhe në Qendrën e Kulturës “Trajko Prokopiev”, ku u takua me drejtorët e këtyre dy institucioneve nacionale për t’u njohur më nga afër me punën, aktivitetet dhe prioritetet e tyre.
Në kuader të vizitës në Qendrën e Kulturës, ministri pa nga afër edhe punimet për renovimin e teatrit dhe u njoh me ecurinë e tyre.
Gjatë takimeve u diskutua edhe për realizimin e programeve kulturore, kapacitetet ekzistuese dhe sfidat me të cilat përballen institucionet në përmbushjen e detyrave të tyre.
Vëmendje iu kushtua edhe nevojave për përmirësimin e kushteve të punës dhe mundësive për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tyre.
Ministri Sulejmani theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë me drejtorët dhe punonjësit e institucioneve është i rëndësishëm për identifikimin e nevojave reale dhe përcaktimin e prioriteteve për mbështetje.
Ai nënvizoi se institucionet kulturore kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë, nxitjen e krijimtarisë dhe afrimin e kulturës me qytetarët.
Në këtë drejtim, ministri rikonfirmoi përkushtimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e kushteve për një ofertë kulturore më cilësore, të larmishme dhe të qasshme për të gjithë.
Vizita e punës në Kumanovë është pjesë e angazhimit të Ministrisë për ndjekjen e gjendjes dhe prioriteteve në institucionet kulturore, si dhe forcimin e bashkëpunimit për përmirësimin e jetës kulturore në vend.