„Strategjia Nacionale e Turizmit 2027–2032 duhet të përcaktojë një drejtim të qartë për zhvillimin bashkëkohor, të qëndrueshëm dhe afatgjatë të turizmit në vend“, theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, në debatin publik për rezultatet e analizës së gjendjes në procesin e përgatitjes së Strategjisë, i cili u mbajt sot në Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të sektorit të turizmit, opinionit profesional dhe akademik, si dhe të pranishmëve të tjerë, ministri i Kulturës dhe Turizmit theksoi se hartimi i Strategjisë së re Nacionale është konfirmim se Qeveria dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit e njohin turizmin si një sektor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe lokal të vendit, si dhe potencialin e tij për të kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
„Sot nuk jemi këtu vetëm për t’i prezantuar rezultatet e punës së deritanishme. Jemi këtu para së gjithash për të hapur hapësirë për dialog“, theksoi ministri, duke vënë në dukje se analiza e gjendjes paraqet një bazë të rëndësishme për hartimin e mëtejshëm të Strategjisë.
Sipas tij, analiza mundëson një pasqyrë më të mirë të potencialeve që disponon vendi, por edhe të sfidave dhe dobësive me të cilat përballet sektori i turizmit.
„Qëllimi ynë është të krijojmë një dokument që do të jetë përgjigje reale ndaj gjendjes dhe nevojave të sektorit të turizmit dhe që do të japë një drejtim të qartë për zhvillimin e tij në periudhën e ardhshme“, tha ministri.
Ai theksoi se në procesin e përgatitjes së Strategjisë vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përmirësimit të infrastrukturës turistike, krijimit të produkteve turistike më cilësore dhe më konkurruese, zgjatjes së qëndrimit të turistëve, si dhe ndërlidhjes së trashëgimisë kulturore, burimeve natyrore dhe produkteve lokale me trendet bashkëkohore turistike. Ndër çështjet e rëndësishme ai veçoi edhe sigurimin e zhvillimit të barabartë rajonal dhe krijimin e kushteve për turizëm të qëndrueshëm dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar.
„Këto çështje kërkojnë një përgjigje të përbashkët“, theksoi ministri, duke vënë në pah rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të të gjithë aktorëve në procesin e përgatitjes së Strategjisë.
Në kuadër të ngjarjes, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ndau edhe mirënjohje me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, si vlerësim për kontributin në zhvillimin dhe promovimin e Maqedonisë si destinacion turistik autentik dhe atraktiv.
Në kategorinë e agjencisë më të suksesshme turistike për turizëm hyrës për vitin 2026, mirënjohje morën TA „Balkan Prime Tours“–Shkup, TA „Kamelija Tours“–Shkup dhe „Karachi Tours“ (Erak Group)–Shkup. Mirënjohjet për kapacitetin më të suksesshëm akomodues për vitin 2026 iu ndanë „Holiday Inn“–Shkup, „Limak International Hotel“–Shkup dhe „Marriott Hotel“–Shkup, ndërsa në kategorinë e mjetit më të suksesshëm promovues digjital/social për vitin 2026 u shpërblyen „kajak.mk“, „Quendoo.mk“ dhe influenceri „Finnmacedonia“.
Debati publik është pjesë e procesit të konsultimeve me palët e interesuara dhe ka për qëllim të sigurojë që perspektivat, përvojat dhe nevojat e ndryshme të sektorit të turizmit të merren parasysh gjatë hartimit të mëtejshëm të Strategjisë Nacionale të Turizmit 2027–2032.