Vizita e punës e ministrit Sulejmani në Ankara: takime të nivelit të lartë dhe aktivitete zyrtare

Vizita e punës e ministrit Sulejmani në Ankara: takime të nivelit të lartë dhe aktivitete zyrtare
Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Turqisë, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, realizoi takime të nivelit të lartë dhe aktivitete të rëndësishme në kuadër të programit zyrtar.
 
 
Takimi qendror u zhvillua me homologun e tij turk, ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy. Në fokus ishin marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimi në kulturë dhe turizëm, funksionimi i Qendrave Kulturore-Informative në Shkup dhe Stamboll, promovimi turistik, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe bashkëpunimi në kuadër të UNESCO-s.
 
 
Pas takimit, të dy ministrat morën pjesë në ekspozitën „Koleksioni i monedhave të prera në Shkup dhe Kratovë (shek. XIV–XVII) – Udhëtimi i parave“, të përgatitur nga mr. Daniela Nikolova dhe të prezantuar në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit në Ankara.
 
 
Ministri Sulejmani vizitoi edhe Bibliotekën Kombëtare pranë Kompleksit Presidencial, ku u njoh nga afër me organizimin, koleksionet e pasura dhe shërbimet bashkëkohore që ofrohen për lexuesit, studentët dhe studiuesit.
 
 
Në vijim, ministri Sulejmani realizoi takime të ndara me zëvendësministrin e Drejtësisë, Sedat Ayyıldız, dhe me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Bülent Turan. Në të dyja takimet u shkëmbyen mendime për temat me interes të përbashkët, lidhjet ndërmjet shteteve dhe popujve, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
 
 
Vizita konfirmoi marrëdhëniet e afërta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, si dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve dhe aktiviteteve konkrete.

Accessibility Menu