Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Sulejmani në festivalin “Bletëzat”: Mbështetja e krijimtarisë për fëmijë është investim në të ardhmen e kulturës

Sulejmani në festivalin “Bletëzat”: Mbështetja e krijimtarisë për fëmijë është investim në të ardhmen e kulturës

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, mori pjesë në edicionin e 32-të të festivalit muzikor për fëmijë “Bletëzat 2026”, i cili u mbajt në Qendrën e Kulturës “Ilo Anteski-Smok” në Tetovë. Në fjalimin e tij, ai theksoi se festivali, për më shumë se tri dekada, u ka mundësuar brezave të rinj të shfaqin talentin e tyre muzikor dhe të hedhin hapat e parë në skenën muzikore.

Duke vënë në dukje rëndësinë e këtij manifestimi në zbulimin dhe afirmimin e emrave të rinj të muzikës, Sulejmani rikujtoi se pikërisht në skenën e “Bletëzave” i kanë bërë hapat e parë në muzikë edhe këngëtarë që më vonë u bënë emra të njohur, ndër të cilët i ndjeri Shpat Kasapi, Big Mama dhe Altuna Sejdiu – Tuna.

“Si Ministri e Kulturës dhe Turizmit, ne e njohim dhe e mbështesim rëndësinë e manifestimeve të këtilla, të cilat nxisin krijimtarinë tek më të vegjlit dhe pasurojnë jetën kulturore. Investimi në krijimtarinë për fëmijë është investim në të ardhmen e kulturës dhe në brezat që do ta krijojnë atë”, theksoi Sulejmani.

Ai i përgëzoi organizatorët për përkushtimin dhe këmbënguljen në ruajtjen e traditës së festivalit, ndërsa pjesëmarrësve të rinj u uroi paraqitje të suksesshme dhe shumë suksese në muzikë.

Në edicionin e 32-të të festivalit, i cili zhvillohet në gjuhën shqipe dhe organizohet nga Radio Bleta, u prezantuan 18 kompozime të reja për fëmijë, të interpretuara nga talent të rinj muzikorë.

Festivali ka karakter garues, ndërsa që nga themelimi i tij në vitin 1994 e deri më sot, ka promovuar rreth 500 këngë për fëmijë, në bashkëpunim me autorë, kompozitorë dhe producentë të shumtë nga vendi dhe rajoni.

Accessibility Menu