Sot, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, nisi zyrtarisht edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës "Çarshia", nismë e komunës së Çairit që synon të shndërrohet në traditë vjetore dhe në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të qytetit.
Në konferencën për media, organizatorët prezantuan vizionin dhe rëndësinë e këtij Festivali për jetën kulturore të Shkupit. Në këtë aktivitet morën pjesë Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, z. Sedat Sulejmani, kryetari i komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, drejtorët artistikë të festivalit Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti Kërliu, kryetarja e Komisionit për Kulturë, Sarana Imeri Stafai, drejtori i festivalit Avni Qaili, drejtori i Teatrit Shqiptar Ismet Ramadani dhe drejtori i QKI-së, Imer Rexhepi.
Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, z. Sedat Sulejmani, përshëndeti organizimin e Festivalit "Çarshia", duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së nismave që promovojnë artistët, kulturën dhe trashëgiminë kulturore. Ai vlerësoi se ky festival sjell dimension të ri në jetën kulturore të Çairit dhe Shkupit, duke ndërthurur trashëgiminë e pasur të Çarshisë së Vjetër me krijimtarinë bashkëkohore dhe duke kontribuar në zhvillimin e turizmit kulturor.
"Si Ministër i Kulturës dhe i Turizmit, do të mbështesim çdo nismë që promovon artistët, pasuron ofertën kulturore dhe kontribuon në zhvillimin e turizmit kulturor", u shpreh z. Sulejmani.
Kryetari i komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, theksoi se Festivali Ndërkombëtar i Muzikës "Çarshia" lindi nga bindja se kultura është një nga themelet mbi të cilat ndërtohet identiteti i një vendi. Ai u shpreh se synimi i Komunës është që ky festival të zhvillohet ndër vite dhe të bëhet ngjarje kulturore me rëndësi për Shkupin dhe rajonin.
Pas konferencës për media, të pranishmit vizituan hapësirat e Kurshumli Hanit dhe Suli Hanit, ku do të zhvillohen netët e festivalit. Këto ambiente historike, që ndër shekuj kanë qenë vendtakim i kulturave dhe traditave të ndryshme, për katër mbrëmje me radhë do të mirëpresin artistë të njohur nga vendi dhe bota.
Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë program të pasur artistik me muzikë klasike, operë, flamenko dhe serenata korçare, duke krijuar përvojë unike kulturore në zemër të Çarshisë së Vjetër.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës "Çarshia" përfaqëson fillimin e një tradite të re kulturore për Çairin dhe Shkupin, me ambicien që të shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike dhe kulturore të qytetit.