Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov: Faktet nga ribalancimi i Buxhetit janë të qarta dhe të verifikueshme

 Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov: Faktet nga ribalancimi i Buxhetit janë të qarta dhe të verifikueshme

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, reagoi ndaj pretendimeve të paraqitura gjatë diskutimit në seancën e Komisionit për ribalancimin e Buxhetit, duke vlerësuar se ato nuk përputhen me dokumentet zyrtare buxhetore.

 

“Në politikë ekzistojnë interpretime të ndryshme, por faktet nuk janë çështje interpretimi. Në ribalancimin zyrtar nuk ekzistojnë pretendime se mjetet për përforcimin e kapaciteteve kadrovike dhe mbikëqyrjen inspektuese po ridestinohen për pajisje zyre, e as se po zvogëlohen mjetet për Agjencinë e Filmit apo për investimet kapitale”, thekson ministri Llutkov.

 

Ai nënvizon se me ribalancimin sigurohen 61 milionë denarë për projektin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, si dhe 200 milionë denarë shtesë për investime kapitale.

 

“Kritika është legjitime dhe e domosdoshme në një shoqëri demokratike, por ajo duhet të bazohet në fakte. Veçanërisht kur bëhet fjalë për dokumente buxhetore, është e nevojshme një lexim i kujdesshëm dhe i saktë i të dhënave zyrtare”, thekson ministri.

 

Ljutkov kujton se para dy javësh, në një konferencë për media, janë prezantuar rezultatet e punës së Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, të cilat, sipas tij, mbështeten në shifra konkrete.

 

Sipas tij, pas marrjes së drejtimit të Ministrisë në vitin 2024, është trashëguar një borxh prej 273 milionë denarësh në bazë të pagave, ndërsa me ribalancimin janë siguruar mjete për shlyerjen e tij, si dhe 150 milionë denarë shtesë për investime kapitale dhe aktivitete programore.

 

Ministri veçon edhe këto rezultate të punës: buxheti për aktivitetet programore është rritur për 40%; investimet kapitale janë rritur për 110%; buxheti për veprimtarinë filmike është rritur për 87%; institucionet kombëtare kanë marrë mbështetje dukshëm më të madhe financiare dhe kanë rritur të ardhurat vetanake me mbi 150%; janë vendosur reforma në financim, procedura transparente dhe kritere të qarta; programi për kulturë për vitin 2025 është realizuar në masën 98%.

 

“Këto nuk janë kualifikime politike, por të dhëna dhe shifra zyrtare. Ndryshe nga konstruksionet politike, faktet mbeten të verifikueshme dhe të qasshme për publikun”, thekson Llutkov.

 

Njëkohësisht, ministri rikujton edhe periudhën e udhëheqjes së mëparshme të Ministrisë, duke theksuar se atëherë mbi 500 milionë denarë janë shpenzuar për projekte, vlera publike e të cilave, sipas tij, edhe sot mbetet objekt i pyetjeve serioze.

 

“Buxheti nuk lexohet sipas kujtesës, as sipas nevojave partiake. Faktet kanë një veçori – mbeten fakte, pavarësisht sa politikisht mund të mos i përshtaten dikujt”, porosit ministri Llutkov.

Accessibility Menu