Takimi i ministrit Llutkov me ambasadoren e Sllovakisë, Hricova

Takimi i ministrit Llutkov me ambasadoren e Sllovakisë, Hricova

Në një atmosferë jashtëzakonisht të këndshme dhe konstruktive, ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Llutkov u takua sot me ambasadoren e Sllovakisë, Iveta Hricova.

 

Gjatë takimit u theksua se ekzistojnë mundësi të mëdha për thellimin e bashkëpunimit si në kulturë ashtu edhe në turizëm. Ministri Llutkov vuri në dukje se në edicionin e 50-të të manifestimit “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” është nënshkruar një Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e kulturës, por duke pasur parasysh zhvillimin e bashkëpunimit gjatë periudhës së kaluar, është e nevojshme të nënshkruhet një marrëveshje e re, që do të thotë se në periudhën e ardhshme do të punohet për harmonizimin e një dokumenti të ri të rëndësishëm. Ministri informoi se nga mesi i janarit 2026 do të publikohet edhe programi i parë zyrtar për zhvillimin e turizmit, i cili më tej do të hapë mundësi të reja për bashkëpunim edhe në këtë fushë. U diskutua edhe për bashkëpunimin në planin multilateral, për anëtarësimin në organizata dhe asociacione ndërkombëtare, ndër të cilat edhe fondacioni “Forumi i Kulturave Sllave”, në kuadër të të cilit realizohen shumë aktivitete.

 

Ministri kujtoi se vetëm disa ditë më parë është hapur lektorati i ri i gjuhës maqedonase në Universitetin “Konstantin Filozof” në Nitra, për çka ambasadorja shprehu urime të veçanta. U theksua se ekzistojnë lidhje të thella mes Nitras dhe Ohrit dhe në këtë kuptim, në të ardhmen do të diskutohet për thellimin dhe avancimin e lidhjeve mes dy qyteteve, e ndoshta edhe për binjakëzimin e tyre.

 

U bisedua edhe për bashkëpunimin në fushën e turizmit, dhe u vlerësua veçanërisht pozitiv fakti që janë vendosur disa fluturime në relacionin Shkup – Bratislavë gjatë javës dhe se tashmë po mendohet edhe për fluturime të tjera. Njëkohësisht, sa i përket përmbajtjeve konkrete që mund të realizohen në periudhën e ardhshme, ekziston interes nga pala sllovake që ekspozita e paraqitur në Kunsthalle dhe në Pragë, “Shkupi – qyteti i solidaritetit”, në të ardhmen të prezantohet edhe në Bratislavë.

Accessibility Menu