„Trashëgimia jonë kulturore, si burim material dhe jomaterial, kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Në kushte të ndryshimeve klimatike, degradimit të hapësirës dhe presionit nga turizmi masiv, është e domosdoshme të zbatojmë metodologji të integruara që lidhin njohuritë shkencore, praktikat profesionale dhe teknologjitë bashkëkohore. Mbrojtja e trashëgimisë është akt i planifikimit strategjik, por edhe akt i përgjegjësisë ndaj gjeneratave të ardhshme“, theksoi ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Llutkov në hapjen e konferencës ministrore të „Këshillit të ministrave të kulturës së Evropës Juglindore – forcimi i kulturës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm“ (KOMOKOSEE) që sot u mbajt në Ohër.
Sipas Llutkov, krizat globale në dekadën e fundit tregojnë qartë se kultura duhet të jetë pjesë integrale e zhvillimit shoqëror. Sipas tij, Strategjia Rajonale për bashkëpunim kulturor në Evropën Juglindore, e miratuar në Ohër në vitin 2014, vendosi themele të rëndësishme për bashkëpunim, por sot është e nevojshme ato të përforcohen me mekanizma më efikasë, bashkëpunim funksional dhe besim të shtuar ndërmjet vendeve të rajonit.
Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, transformimit digjital dhe rolit të shtuar të komuniteteve lokale, si elemente kyçe për zhvillimin e politikave kulturore bashkëkohore. Ministri gjithashtu vuri në dukje nismën për krijimin e një Fondi Rajonal për bashkëpunim kulturor, duke vlerësuar se kjo do të sigurojë më shumë stabilitet dhe profesionalizim të aktiviteteve të përbashkëta.
„Nisma e përbashkët për krijimin e Fondit Rajonal për bashkëpunim kulturor mund të jetë një hap i rëndësishëm institucional që ka potencial të sigurojë stabilitet, parashikueshmëri dhe profesionalizim të aktiviteteve rajonale. Besoj sinqerisht se viti 2026 dhe kryesimi i Republikës së Moldavisë me Këshillin e ministrave të kulturës është një mundësi reale për themelimin përfundimtar të tij, gjë që do të konfirmojë aftësinë tonë, por edhe pjekurinë për ta shndërruar interesin e përbashkët në një mekanizëm konkret. Vetëm në këtë mënyrë Komokose do të jetë një platformë relevante që do të gjenerojë ndikim dhe do të trasojë realizimin e objektivave të përbashkëta“, tha Llutkov.
Ministri falënderoi partnerët nga UNESCO, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, duke theksuar se mbështetja e tyre është një njohje për potencialin e rajonit dhe një nxitje e rëndësishme për integrimin e mëtejshëm të politikave kulturore të përbashkëta.
Konferenca dyditore në Ohër është organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, e cila kryeson „Këshillin e ministrave të kulturës së Evropës Juglindore – forcimi i kulturës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm“. Në tubimin në Ohër marrin pjesë ministra të kulturës, zëvendësministra dhe shefa delegacionesh nga Moldavia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia, Turqia, Bullgaria, Greqia, Rumania si dhe një numër i madh ekspertësh.
Në konferencë foli edhe drejtoresha e Zyrës Rajonale të UNESCO-s për shkencë dhe kulturë në Evropë me seli në Venecia, Magdalena Landri, e cila theksoi se Evropa Juglindore është një rajon me pasuri të jashtëzakonshme kulturore, ndërsa diversiteti i saj kulturor pasqyron shekuj kreativiteti dhe qëndrueshmërie, si dhe identitetin e gjallë të popujve të saj.
„UNESCO mbetet një partner i fortë i Komokose dhe është plotësisht e përkushtuar për mbështetjen e misionit të tij për avancimin e bashkëpunimit kulturor, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtimit. Veçanërisht përshëndesim rolin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes politikave kombëtare të zhvillimit“, tha Landri.
Në konferencë, me aklamacion u miratua „Deklarata e Ohrit 2025“, dokument që konfirmon përkushtimin e përbashkët të vendeve të Evropës Juglindore për forcimin e bashkëpunimit kulturor rajonal, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Vitin e ardhshëm 2026, me Këshillin e ministrave të kulturës së Evropës Juglindore do të kryesojë Republika e Moldavisë.