Ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Llutkov, i cili kryeson delegacionin maqedonas në kuadër të vizitës së punës në Mbretërinë e Spanjës, dje në Madrid realizoi një takim të rëndësishëm me Shaika Al Novais, sekretare e përgjithshme e Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO). Takimi u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe pune, ku u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm turistik.
Ministri Ljutkov përcolli urime për Al Novais me rastin e zgjedhjes së saj si sekretare e përgjithshme, duke theksuar rolin kyç të UNWTO në promovimin e turizmit si motor i zhvillimit të qëndrueshëm, rritjes ekonomike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht në kushtet e sfidave globale për sektorin turistik. Ai theksoi se Qeveria e ka identifikuar strategjikisht turizmin si sektor ekonomik të rëndësishëm, gjë që rezultoi me përfshirjen e tij në Ministrinë e Kulturës, me qëllim vendosjen e një qasje sistematike dhe menaxhim më efikas të politikave turistike. Në këtë drejtim, ministri informoi se është në përgatitje një Strategji e re për turizmin si dokument kyç për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.
Në takim u diskutua për rolin e turizmit në zhvillimin rajonal të balancuar, vlerësimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e zonave rurale dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ofertës turistike. U vendos theks i veçantë mbi nevojën për evidentimin sistematik të resurseve turistike dhe futjen e indikatorëve për matjen e potencialit turistik sipas rajoneve. U theksua gjithashtu rëndësia e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në UNWTO, si dhe mundësia që ekspertë të Organizatës të përfshihen në proceset e edukimit dhe forcimit të kuadrove në turizëm, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe profesionalizmit në sektor. Takimi u vlerësua si bazë e rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe UNWTO në periudhën e ardhshme.
Më herët, ministri Llutkov realizoi edhe një takim pune me Fuad Naghijev, drejtor i Agjencisë Shtetërore për Turizëm të Azerbajxhanit. Në takim u shpreh gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit bilateral në turizëm, si vazhdim i bisedimeve të nisura në Konferencën COP29 në Baku, ku u shqyrtuan mundësitë për hapjen e një tregu të ri turistik, nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi, organizimin e takimeve B2B dhe promovimin e ofertës turistike të Maqedonisë, me theks në turizmin kulturor, fetar, eno-gastro dhe aktiv.
Në kuadër të vizitës, ministri Llutkov sot do të marrë pjesë në hapjen solemne të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit „FITUR 2026“, i cili do të mbahet në prani të mbretit spanjoll Felipe VI dhe mbretëreshës Leticia.
Aktivitetet në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit „FITUR 2026“ konfirmojnë përcaktimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për bashkëpunim intensiv ndërkombëtar, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe pozicionimin e Maqedonisë si destinacion turistik atraktiv, konkurrues dhe i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.