Takim i delegacionit të udhëhequr nga ministri i Kulturës dhe Turizmit Llutkov me eurokomisarin për drejtësi ndërbreznore, rini, kulturë dhe sport, Mikalef

Takim i delegacionit të udhëhequr nga ministri i Kulturës dhe Turizmit Llutkov me eurokomisarin për drejtësi ndërbreznore, rini, kulturë dhe sport, Mikalef

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot në Bruksel realizuan takim pune me eurokomisarin për drejtësi ndërbreznore, rini, kulturë dhe sport, Glen Mikalef.

 

Tema kryesore e takimit ishte projekti “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës”, ku delegacioni e informoi eurokomisarin Mikalef për gjendjen aktuale, sfidat dhe hapat e domosdoshëm për përmirësimin e mëtejshëm. Ministrat Llutkov dhe Mucunski, së bashku me kryetarin Gjorgjievski, prezantuan pozicionet e Qeverisë dhe të Qytetit, për të cilat morën mbështetje të qartë dhe mirëkuptim nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

 

“Dëshirojmë ta informojmë opinionin publik se projekti, për fat të keq, deri tani ka qenë i bllokuar plotësisht dhe i menaxhuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, veçanërisht në pjesën e programit të përfshirë në librin e aplikimit – të ashtuquajturin ‘Bid Book’. Në vend që të ndiqeshin procedura transparente dhe gjithëpërfshirëse, projekti është udhëhequr pa konsultime me institucionet relevante, pa harmonizim me politikat nacionale kulturore dhe pa përfshirje thelbësore të sektorit kulturor. Kjo e ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e aplikimit dhe ka rrezikuar mundësinë që Shkupi të pozicionohet si një qendër e vërtetë kulturore evropiane”, theksoi ministri Llutkov.

 

Pas takimit të sotëm dhe vendosjes së koordinimit institucional, proceset e lidhura me projektin janë tërësisht të zhbllokuara dhe rikthyera në kuadër ligjor dhe profesional. Qeveria dhe Qyteti i Shkupit mbeten të përkushtuar fuqishëm për realizimin e tij dhe do të sigurojnë mjetet e parashikuara prej 40 milionë eurosh gjatë një periudhe katërvjeçare.

 

Projekti paraqet një mundësi për transformim të thellë të Shkupit – përmes zhvillimit të infrastrukturës kulturore, forcimit të bashkëpunimit, mbështetjes së inovacionit dhe promovimit të vlerave evropiane. Zbatimi do të realizohet me transparencë të plotë, llogaridhënie dhe pjesëmarrje aktive të të gjithë aktorëve relevantë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

“Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës” është një vizion për një qytet të hapur, modern dhe dinamik që përfshin komunitetin, inkurajon të rinjtë, mbështet artistët dhe krijon hapësirë për shkëmbim dhe bashkëpunim kulturor të fuqishëm. Kryeqyteti ynë do të jetë një përfaqësues i denjë i Maqedonisë në skenën kulturore evropiane.

Accessibility Menu