Nënshkruhet Marrëveshja për rikonstruksionin e një qendre kulturore multifunksionale në Novo Lisiçe, me vlerë prej 99 milionë denarë

Nënshkruhet Marrëveshja për rikonstruksionin e një qendre kulturore multifunksionale në Novo Lisiçe, me vlerë prej 99 milionë denarë

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dhe kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, nënshkruan sot marrëveshje për financimin e rikonstruksionit të një qendre multifunksionale në lagjen Novo Lisiçe, me vlerë totale prej 99 milionë denarë. 

Llutkov theksoi se ky është kapitull i ri për kulturën në Komunën e Aerodromit, e cila deri më tani nuk ka pasur qendër kulturore dhe që do të jetë veçanërisht e rëndësishme për skenën e pavarur.

Ai theksoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit deri tani ka nënshkruar rreth 20 marrëveshje me komuna të ndryshme në vend për ndërtimin e qendrave multifunksionale. Disa prej tyre sapo kanë filluar të ndërtohen ose janë në proces ndërtimi edhe në kryeqytet, duke shtuar se këto janë veçanërisht të rëndësishme për projektin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”. 

„Shpresojmë që deri në fund të vitit 2027 të përfundojnë të gjitha këto projekte, kurse në vitin 2028, përveç institucioneve kombëtare, të kemi nëntë apo dhjetë hapësira të tilla që do të mund të presin edhe artistë të huaj dhe t’u ofrojnë kushte të përshtatshme për punë. Është shumë e rëndësishme që këto qendra do të ofrojnë më shumë hapësirë për skenën e pavarur kulturore, e cila ka mungesë të hapësirave për kinema, teatro, ekspozita dhe ngjarje të tjera, duke mundësuar zhvillim të barabartë kulturor në të gjithë vendin“, tha Llutkov.

 Ai shprehu kënaqësi që Qeveria ka vendosur të ndërmarrë hap të tillë dhe që kryetarët e komunave po angazhohen për ndërtimin e këtyre qendrave multifunksionale, të cilat, sipas tij, janë edhe e ardhmja e kulturës në Maqedoni. Ndryshe, Qendra multifunksionale në Novo Lisiçe do të ndërtohet me financim nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit në vlerë prej gati 99 milionë denarë në fazën e parë, në sipërfaqe prej 1.400 metra katrorë, dhe do të përfshijë një sallë kinemaje me 245 ulëse, hapësirë për ekspozita, si dhe zyra dhe dhoma për pajisje teknike.

Accessibility Menu