Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dhe koordinatori kombëtar për turizmin, Akan Mahmut, morën pjesë në hapjen solemne të edicionit të 29-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit EMITT, i cili mbahet nga 5 deri më 7 shkurt në Stamboll, Republika e Turqisë.
Në kuadër të panairit, sot ministri Llutkov zhvilloi takim me presidentin e Shoqatës Turke të Agjencive Turistike (TURSAB), Firuz Baglikaja, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit turistik, zhvillimin e produkteve të përbashkëta turistike dhe itinerareve kulturore, si dhe promovimin e turizmit kulturor dhe kreativ mes Maqedonisë dhe Turqisë. Deri më tani, bashkëpunimi i vazhdueshëm me TURSAB ka qenë i orientuar drejt promovimit të vendit tonë si destinacion turistik dhe zhvillimit të marrëdhënieve të biznesit turistik.
Turqia është një nga tregjet më të rëndësishme turistike për vendin tonë, me mbi 500 mijë qëndrime të realizuara vitin e kaluar nga vizitat turistike. Oferta turistike e Maqedonisë tashmë 15 vite me radhë paraqitet në Panairin e Turizmit në Stamboll, i cili është një nga ekspozitat më me ndikim në rajon dhe më gjerë. Çdo vit bashkon rreth 30. 000 profesionistë të turizmit dhe dashamirës të udhëtimeve, duke shërbyer si platformë për promovimin e destinacioneve, produkteve turistike dhe mundësive të reja për bashkëpunim.
Këtë vit, panairi mbahet në “Qendrën Expo Stamboll” (IFM), me pjesëmarrjen e mbi 656 ekspozuesve nga 109 vende dhe praninë e rreth 660 operatorëve turistikë, gjë që e konfirmon edhe më tej rëndësinë e tij si një ngjarje kyçe ndërkombëtare për zhvillimin e industrisë turistike.