Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, ndoqi lindjen e diellit në solsticin veror në Kokino

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, ndoqi lindjen e diellit në solsticin veror në Kokino

Mëngjesin e sotëm, në ditën e solsticit veror, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, mori pjesë në lokalitetin arkeologjik Kokino, ku ndoqi lindjen e diellit – një fenomen i rrallë natyror dhe astronomik që prej shekujsh tërheq vëmendjen e shkencëtarëve, studiuesve dhe vizitorëve.

 

Në këtë ngjarje, të organizuar nga Muzeu i Kumanovës, përveç ministrit Llutkov, morën pjesë edhe drejtoresha e Muzeut të Kumanovës, Marija Zhivaçki, kryetari i Komunës së Nagoriçanit të Vjetër, Mirosllav Sllavkovski, arkeologu Dejan Georgievski, deputeti Brane Petrushevski, drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, Aleksandar Jordanoski, si dhe mysafirë dhe vizitorë të shumtë.

 

Lokaliteti i Kokinos, i vjetër rreth katër mijë vjet, është një nga vendbanimet më të rëndësishme arkeologjike dhe arkeoastronomike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pikërisht këtu, banorët e lashtë ndiqnin me kujdes lëvizjet e Diellit dhe trupave qiellorë, duke lënë dëshmi për njohuritë e tyre të jashtëzakonshme mbi ciklet natyrore dhe rolin e tyre në jetën e përditshme dhe kulturën shpirtërore.

 

Veçanërisht mbresëlënës është fenomeni i solsticit veror, kur nga një pikë e caktuar e lokalitetit lindja e diellit mund të vëzhgohet përmes një çarjeje karakteristike shkëmbore, që përbën një nga veçoritë më të njohura të Kokinos. Pikërisht kjo lidhje unike mes natyrës, shkencës dhe trashëgimisë kulturore i jep këtij lokaliteti një vlerë të jashtëzakonshme.

 

Vizita është pjesë e aktiviteteve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të orientuara drejt afirmimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, si dhe përgatitjeve për shënimin e jubileut të rëndësishëm – 25-vjetorit të zbulimit të Kokinos, i cili do të shënohet në vitin 2026 me një sërë aktivitetesh shkencore, kulturore dhe promovuese.

 

Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes, vlerësimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore si një vlerë themelore e identitetit kombëtar dhe një potencial i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor.

Accessibility Menu