Llutkov: “Manastiri po merr një impuls të ri kulturor – investime në trashëgimi dhe në të ardhmen”

Llutkov: “Manastiri po merr një impuls të ri kulturor – investime në trashëgimi dhe në të ardhmen”

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot qëndroi për një vizitë pune në Manastir, ku së bashku me kryetarin e komunës, Toni Konjanovski, inspektoi disa projekte kapitale nga fusha e kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

 

Vizita filloi me një takim pune në Komunën e Manastirit, ku u shqyrtuan projektet aktuale dhe të ardhshme që realizohen në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe vetëqeverisjes lokale. Në fokus të bisedimeve ishin investimet në infrastrukturën kulturore, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit kulturor.

 

Në kuadër të vizitës, ministri Llutkov inspektoi aktivitetet ndërtimore për rindërtimin, sanimin dhe adaptimin e objektit të ish-kinemasë “Partizan”, një nga projektet më të rëndësishme kapitale në Manastir, me vlerë prej 94 milionë denarësh.

 

“Kinema ‘Partizan’ për vite me radhë ishte një objekt i lënë pas dore dhe jofunksional. Sot shohim se punimet po zhvillohen me dinamikë të mirë dhe se hap pas hapi po krijojmë një qendër moderne, multifunksionale kulturore, e cila do të jetë shtëpi e shumë ngjarjeve kulturore dhe një vend i ri takimi për artistët dhe qytetarët”, theksoi ministri Llutkov.

 

Ai rikujtoi se objekti do të rinovohet plotësisht dhe do të vihet në funksion deri në vitin 2027, kur Manastiri do të fitojë një hapësirë të re për koncerte, ekspozita, projeksione filmash dhe përmbajtje të tjera kulturore.

 

Ministri inspektoi gjithashtu punimet konservuese dhe restauruese në Jeni Xhamia, një nga monumentet më përfaqësuese të kulturës në vend. Për realizimin e këtij projekti shumëvjeçar, Ministria ka siguruar rreth 12 milionë denarë.

 

“Detyrimi ynë është t’i ruajmë dëshmitë më të vlefshme të historisë sonë. Jeni Xhamia është pjesë e identitetit kulturor të Manastirit dhe për këtë arsye po investojmë mjete të konsiderueshme për mbrojtjen dhe restaurimin e saj të plotë”, theksoi Llutkov.

 

Vizita e punës vazhdoi në lokalitetin arkeologjik Heraclea Lyncestis, një nga lokalitetet më të rëndësishme arkeologjike në Maqedoni. Këtë vit, Ministria ndau 700 mijë denarë për mbrojtjen e lokalitetit dhe mozaikëve, të cilët përbëjnë pasurinë e tij më të madhe.

 

“Heraklea nuk është vetëm pjesë e së kaluarës sonë, por edhe një potencial i rëndësishëm për të ardhmen. Fakti që lokaliteti vizitohet nga deri në 25 mijë vizitorë në vit tregon interesimin e madh për trashëgiminë tonë kulturore. Prandaj vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen dhe prezantimin e saj”, tha ministri.

 

Gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka investuar rreth 32 milionë denarë në projekte të realizuara nga Institucioni Kombëtar “Enti dhe Muzeu” – Manastir, ndër të cilat restaurimi i fasadës së muzeut, rregullimi i lapidariumit, rinovimi i dyqanit të suvenireve, si dhe konservimi i shtëpive memoriale të Goce Delçev dhe Stiv Naumov.

 

Manastiri mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në Maqedoni. Përmes investimeve në infrastrukturën kulturore, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit kulturor, Ministria e Kulturës dhe Turizmit vazhdon të krijojë kushte për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe afirmimin e vlerave kulturore maqedonase para publikut vendas dhe ndërkombëtar.

Accessibility Menu