Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, sot realizoi takim pune me koordinatoren e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Shkup, Shejma Babajigit, dhe me këshilltarin e presidentit të TIKA-s, Sumer Sipahi.
Në takim u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe TIKA-s, me theks në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit kulturor, digjitalizimin e institucioneve kulturore, si dhe mbështetjen e festivaleve, artizanateve tradicionale dhe industritë kreative.
Ministri Sulejmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit shumëvjeçar me TIKA-n dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Agjencia i jep Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se projektet e përbashkëta paraqesin kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e kulturës dhe turizmit.
Në takim u shpreh gatishmëri e përbashkët për realizimin e iniciativave dhe projekteve të reja, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve kulturore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.