Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, zhvilloi sot takim pune me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Drexler, gjatë të cilit u konfirmua përcaktimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy shteteve mike.
Gjatë bisedimeve u shqyrtuan mundësitë për thellimin e partneriteteve ndërmjet institucioneve kulturore, mbështetjen e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e artistëve dhe përmbajtjeve kulturore, si dhe realizimin e iniciativave që do të kontribuojnë në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të krijimtarisë bashkëkohore kulturore dhe trashëgimisë kulturore të të dyja vendeve.
Ministri Sulejmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit tashmë të vendosur me Institutin Arkeologjik Gjerman, përmes të cilit realizohen hulumtime arkeologjike interdisciplinare në lokalitetin arkeologjik Skupi. Njëkohësisht, u theksua se trashëgimia arkeologjike maqedonase është prezantuar me sukses para publikut gjerman përmes ekspozitave të realizuara në Frankfurt dhe Vajsenburg.
Në takim u diskutua edhe për fillimin e projektit “Shkolla e Arkeologjisë”, zbatimi i të cilit është paraparë të nisë në muajin tetor të këtij viti. Në kuadër të projektit, ekspertë të shquar nga Komisioni Romano-Gjerman do të mbajnë ligjërata nga fusha e arkeologjisë romake, me qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimin e njohurive.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrjetin evropian TRADUKI, i cili lidh vendet e Evropës Juglindore me hapësirën gjermanofolëse përmes letërsisë dhe librit. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përgatitjeve për realizimin e programit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”.
Në përfundim të takimit u shpreh gatishmëria e përbashkët për vazhdimin e dialogut të suksesshëm dhe zhvillimin e nismave të reja, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve kulturore dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Federale të Gjermanisë.