Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Sedat Sulejmani, realizoi takim me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ola Solström, në të cilin u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në fushën e kulturës dhe turizmit.
Ambasadori Solström prezantoi fushat kryesore në të cilat Suedia jep kontribut të rëndësishëm në Maqedoninë e Veriut, ndër të cilat mbrojtja e mjedisit jetësor, barazia gjinore dhe sundimi i së drejtës. Gjatë bisedës u theksua edhe potenciali i kulturës si fushë e rëndësishme për zhvillimin e projekteve dhe nismave të përbashkëta.
Vëmendje e veçantë iu kushtua turizmit dhe mundësive për rritjen e shkëmbimit turistik ndërmjet dy vendeve, përmes promovimit më të madh të Maqedonisë së Veriut si drejtim turistik për turistët suedezë, por edhe përmes rritjes së dukshmërisë së Suedisë si drejtim turistik për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Ministri Sulejmani e njoftoi ambasadorin me kornizën ligjore dhe procesin e integrimit të turizmit në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, me ç'rast u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira me vendet që kanë politika të zhvilluara turistike.
Në fushën e kulturës u shqyrtua mundësia për avancimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e arteve skenike, me fokus në operën dhe baletin.
Në takim u bisedua edhe për përgatitjet për "Shkupi 2028 – Kryeqyteti Europian i Kulturës". Ministri Sulejmani informoi se përgatitjet po zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar, përmes angazhimit të përbashkët të Qeverisë, Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në përputhje me aktivitetet e planifikuara.
Bashkëbiseduesit konfirmuan gatishmërinë për vazhdimin e komunikimit dhe identifikimin e mundësive konkrete për bashkëpunim në kulturë dhe turizëm.